A funksionon vërtetë distancimi social?

Distancimi social është një praktikë që implementohet nga zyrtarët e shëndetit publik me qëllim frenimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse. Masat synojnë përveç frenimit të përhapjes, mbrojtjen e personave më të riskuar, duke përfshirë të moshuarit dhe personat me sisteme imunitare të dobësuar.

Çfarë masash janë marrë?

Qeveri të vendeve të ndryshme, përfshirë dhe atë shqiptare, kanë mbyllur kufinjtë, dhe miliona njerëzve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi. Personave më të riskuar që u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe larg njerëzve të tjerë janë të moshuarit dhe personat që kanë imunitet të dobët. Gjithashtu nuk lejohet dhe mbledhja në grupe të mëdha.

Ekspertët këshillojnë që njerëzit të qëndrojnë të paktën 1 – 2 metra larg njëri – tjetrit.

Por, përse kjo largësi?

Ekspertët besojnë se virusi përhapet kryesisht nëpërmjet spërklave që dalin nga goja apo hunda. Kur një person i infektuar flet, merr frymë, kollitet apo tështin, spërklat udhëtojnë 1 – 2 metra para se të bien në tokë.

Është e rëndësishme që të përpiqeni t’i bllokoni kollitjet apo tështimat me një shami, facoletë apo me këndin e bërrylit tuaj, në mënyrë që spërklat e pështymës të mos fluturojnë direkt tek një person tjetër afër jush.

Diçka që do ju duhet të bëni patjetër (nëse nuk mund ta bëjë njeri tjetër për ju), është blerja e ushqimeve. Por, përpiquni të shkoni në supermarket në kohë kur mund të ketë më pak njerës, qëndroni të paktën 1 metër larg personave të tjerë dhe lajini duart menjëherë pasi të shkoni në shtëpi.

A do të funksionojë distancimi social?
Do të jetë e vështirë të tregojmë nëse distancimi social funksionon. Pritet të ketë rritje të rasteve, gjë që do të acarojë njerëzit që po veprojnë sipas distancimit social. Por ata duhet të dinë se rritja e rasteve nuk do të thotë që distancimi social nuk po funksionon.

Distancimi social ndihmon që të arrijmë të shohim se cilët persona janë të infektuar, të gjejmë më lehtë se me kë mund të kenë pasur kontakt, dhe në përgjithësi të kemi më pak të infektuar.