4 raste të reja me Covid-19 në Krujë

Pas disa ditësh qetësi, rastet e reja me Còvid 19 janë rikthyer sërish në qytetin e Krujës. Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se në 24 orët e fundit janë zbuluar 4 raste të reja me koronavirus, që janë pjesë e zinxhirit të kontakteve të fasonerive.

Ky është numri më i lartë i rasteve që është zbuluar në një ditë për këtë javë, ku të hënën dhe të mërkurën nuk pati asnjë rast të ri. Në total gjatë ditës së djeshme kanë kryer 64 testime, prej të cilëve katër rezultuan pozitive.

Kruja është pjesë e bashkive të kuqe në vend, për shkak se numri i personave të infektuar në raport me të gjithë popullsinë është shumë i lartë, dhe rastet e reja nuk po ndalen, pasi personat jetojnë me familjarë dhe mundësia e përhapjes është shumë e madhe.

Në rang vendi numri i personave që po rezultojnë pozitiv nga dita në ditë është në rënie, ku të hënën, të martën dhe të mërkurën, në total janë zbuluar nga katër raste të reja, duke e mbajtur situatën të qendrueshme. Nga ana tjetër lajm pozitiv është ulja e personave që kërkojnë trajtim spitalor, ndërsa dje Minsitria e Shëndetësisë raportonte vetëm një pacient që ndodhej në terapi intesive.