Turp për moralistin drejtor/ Ish-ministri: Maskarallëk për shefat e tij politikë që heshtin

Pak ditë më parë, videoja e rëndë e dhunës së një të riu u bë virale në rrjet, ku të shumtë ishin ata që dënonin sjelljen e policëve, që kishin shtrirë në tokë pranë liqenit artificial të Tiranës, dhe godisnin me forcë 15-vjeçarin Sarandi Çobo.

Për këtë rast foli sot sot edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Gjatë raportimit në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë, Veliu tregoi një video, të zonjës Zaida Çobo, e ëma e 15-vjeçarit të dhunuar, e cila mbante një pistoletë në dorë.

Por nuk vonoi shumë dhe e vërteta doli në shesh. Videoja në fjalë ishte marrë një film ku kishte luajtur edhe zonja.

Por sipas ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, edhe sikur nëna e djalit të ishte ashtu siç e përshkruan Veliun, sërish kjo nuk e justifikon dhunën policore.

“Le ta zëmë se e ëma e atij djalit që u rrah nga policia është ashtu siç e prezanton në publik Drejtori i Përgjithshëm, e ç’a pastaj?! Kjo është arsye që policët të masakrojnë djalin e saj në mes të rrugës?! Çfarë logjike është kjo?! Politike?! Policeske?! Moraliste?! Nejse, më vjen mirë që ndjehen si vaji në lakra se tregojnë hapur se kush janë, çfarë mendojnë e kujt i shërbejnë. Me ligjin sigurisht që kanë zero lidhje.

TURP për moralistin Drejtor! MASKARALLËK për shefat e tij politikë që heshtin! Krim i rëndë i kryer nga ata policë që dhunuan një djalë të ri, pa asnjë shkak! Jam me zonjën dhe djalin e saj”, shkruan Ylli Manjani.