Pse Rama hoqi dorë nga Veliaj dhe vendosi të lërë Lindën si pasardhëse?

Nga Red VARAKU

Dihet që beteja më e madhe brenda një partie, kur ajo është në ditët e fundit të saj në pushtet, është beteja për pasardhësin. Pikërisht, kjo betejë edhe pse e heshtur dhe ende larg syve të opinionit publik, ka filluar të gërryejë Partinë Socialiste dhe po përhapet në mënyrë kapilare në çdo degë të PS në qarqet kryesore, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Lezhë, Korçë, Fier etj.

Të bindur që ditët e tyre në pushtet i kanë të numëruara, të gjithë kanë filluar të përllogarisin se ku do t’i investojnë aksionet e tyre politike.

Pas eliminimit të Sajmir Tahirit nga gara për pasardhës, në skenë kishte mbetur vetëm Veliaj. Kjo edhe për faktin se u përzgjodh nga Rama për drejtimin e bashkisë së kryeqytetit.

Por, gjërat u komplikuan kur në skenë u shpërfaq në kongres Linda Rama. Kongresi i fundit i PS, i cili ishte për vetëm për të dhe rreth saj, dukej sikur ishte bërë enkas për promovimin e saj si pasardhëse.

Gjithsesi, ky lajm asokohe u mor me rezerva, por pas shembjes së Teatrit Kombëtar, skenari që Edi ka përzgjedhur Lindën, sa vjen edhe përforcohet.

Përforcimi i kësaj ideje u bë ashiqare në përfshirjen e Veliajt në aferën 200 milion euro të shembjes së Teatrit Kombëtar , ku ai mban përgjegjësinë jo vetëm politike, por edhe penale.

Në fakt, mënyra se si po eliminohet Veliaj, nuk është një strategji e panjohur për opinionin publik.Edi Rama aplikoi të njëjtën strategji për eliminimin e Tahirit , ku dihet që urdhëruesi dhe përfituesi për kanabizimin e vendit ishte kryeministri, por përgjegjësia politike dhe penale u mbajt nga Sajmir Tahiri.

Por pse hoqi dorë Rama nga Veliaj dhe zgjodhi modelin e Klintonëve në SHBA për të vazhduar ta udhëheqë PS nëpërmjet gruas së tij?

Kjo sepse, Rama do t’ia lërë partinë dikujt që ta ketë të lehtë jo vetëm ta komandojë kur PS të kalojë në opozitë, por edhe ta rrëzojë nëse nuk i bindet. Sot Erjon Veliaj nuk është i tillë. Ai nuk ka vetëm njohje kapilare të PS, por sot ka edhe fuqi ekonomike, sepse atë e mbështesin lobe të fuqishme mafioze dhe ekonomike të kryeqytetit. Në këtë kuptim, Rama e di që sapo Veliaj të marrë PS, ai vetë nuk do të jetë vetëm i panevojshëm, por edhe kërcënim për të.

Me fjalë të tjera , duke qenë se Veliaj është identik me të për nga pabesia, ai nuk do të bëjë gabimin që bëri Nano me të, ndaj ka nisur betejën për eliminimin e tij që tani që është në pushtet . Gojët e liga thonë që eliminimi i Veliajt dhe metastazave të tij, është edhe arsyeja kryesore që ai ka rënë dakort për përsëritjen e zgjedhjeve lokale.

Sepse, nëse Veliaj do të vazhdojë të jetë kryetar i bashkisë së Tiranës, pasi PS të jetë larguar nga pushteti, mundja e tij nuk është aq e lehtë, për të mos thënë e rrezikon shumë . Provë për këtë betejë është implikimi i Veliajt dhe atyre që Veliaj i kishte përzgjedhur si e ardhmja e PS, në krimin tek Teatri, me qëllim eliminimin e tij dhe metastazave të tij në PS.

Kjo është arsyeja që i linçoi dhe diskretitoi të gjithë të përzgjedhurit dhe besnikët e Veliajt, si njerëz që marrin tre-katër rroga nëpër borde. Distancimi nga Veliaj është edhe arsyeja e dorëheqjeve që kanë filluar në bashkinë e kryeqytetit.

Nga ana tjetër, Linda Rama është krejt e kundërta e Veliajt. Përveç faktit që është gruaja e Ramës, ajo nuk ka asnjë lidhje tjetër me PS-në.

Pra, është fiks kandidatja e duhur, që i garanton Ramës vazhdimësinë në PS. Plus ajo ka qenë drejtoreshë fondacionit Soros në Shqipëri dhe jo vetëm nuk është e paaftë dhe e paarsimuar si Veliaj, por është një grua shumë e zgjuar dhe dinake që e adhuron pushtetin dhe ka treguar se bën çdo kompromis për të. Kjo e bën atë edhe më të kualifikuar.

Gjithashtu,idenë e bën shumë tërheqëse fakti që një grua do të drejtojë PS dhe nga pikëpamja propagandistike kjo është një supergjetje.

Dihet investimi dinak i Ramës tek “forca” e grave gjatë gjithë qeverisjes së tij , ndaj një grua në krye nuk është aspak befasi, përkundrazi është vazhdimësi normale e qëndrimit të tij.

Pra, edhe pse beteja për pasardhësin, e cila që tani ka shkaktuar një çarje të madhe brenda PS dhe e ka paralizuar PS-në, mbetet ende larg syve të opinionit publik, besoj se tashmë është e qartë dhe nuk ka asnjë dyshim se kush do ta fitojë garën për kryesimin e PS pasi ajo të largohet nga qeverisja midis Linda Ramës dhe Erjon Veliajt.