12 raste të reja me Covid-19, vetëm një në Tiranë, ja ku janë vatrat e nxehta

Gjatë 24 orët e fundit janë zbuluar 12 raste të reja me Covid-19 duke e çuar numrin total të të prekurve në 832. Zv ministrja Rakacolli tha se, shumica e rasteve të reja janë raste kontaktesh, ndërkohë që rastet e reja janë zbuluar në Fier, në Krujë, në Kamëz dhe në Tiranë.

Tirana ka pasur vetëm një rast të ri në 24 orët e fundit. Në qytetin e Fierit kanë rezultuar 3 raste të reja pozitive, pas shumë ditësh që ishte vendosur qetësia. 3 raste në Krujë, 3 në Kamëz dhe 2 në Shkodër.

Sipas Ministrisë, 8 pacientë vijojnë të mbeten në terapi intesive, dhe numri është i pandryshueshëm nga dje.

Deklarata e Ministrisë

Në informimin e sotëm në lidhje me situatën e Covid-19 ju bëjmë me dije së gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 12 raste të reja pozitive nga testimi i 255 personave të dyshuar si bartës të këtij infeksioni ose të semurë. Pjesa më e madhe e tyre janë kontakte të rasteve të konfirmuara më parë dhe të gjetura nga hetimi epidemiologjik.

Rastet pozitive të ditës së sotme janë të shpërndara si vijon: Në Fier 3 të prekur, 3 në Krujë, 3 në Kamëz, 2 në Shkodër dhe 1 rast në Tiranë. Me shtimin e rasteve të sotme, numri i të prekurve nga Covid-19 shkon në 832. Prej tyre janë tashmë të shëruar 595 persona dhe vazhdojnë të jenë aktivë aktivë 206 persona.

Në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 36 pacientë dhe vetëm 8 prej tyre janë në terapi intensive. Pjesa tjetër po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë. Situata epidemiologjike e infeksionit Sars Cov 2 dhe sëmundjen Covid 19 në Shqipëri, po monitorohet me shumë kujdes nga të gjitha strukturat shendetesore. Veçanërisht në këtë situatë të lehtësimit të masave, është rritur vigjilenca për gjurmimin, testimin dhe identifikimin në kohë të rasteve të dyshuara me COVID19 si dhe kontakteve të tyre, në mënyrë që situata të vazhdojë të mbahet në kontroll.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara nga autoritetet shendetesore sidomos distancimi fizik si një nga mjetet më efikase të parandalimit të infeksionit. Po ashtu bizneset e hapura duhet të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë, në mbrojtje të shëndetit publik dhe të parandalimit të shtimit të infeksionit.

Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus. Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.