Virusi që ka futur në reanimacion demokracinë shqiptare

Nga Red VARAKU

Shqetësimi më i madh i këtyre ditëve është fakti që Rama, në vend që të angazhohet në një reagim të përgjegjshëm ndaj pandemisë, po e sheh edhe këtë fatkeqësi si një mundësi për të realizuar projektin e tij për konsolidimin e pushtetit personal dhe asgjësimin e demokracisë.

Këto shtatë vjet, ai ia ka dalë që nëpërmjet propagandës dhe disinformacionit, kapjes dhe përdorimit politik të të gjitha institucioneve, rritjes në mënyrë të frikshme të pushtetit personal, sulmit dhe delegjitimimit i kundërshtarit dhe vjedhjes së zgjedhjeve, të vazhdojë të plaçkisë dhe sundojë popullin shqiptar.

Me të njëjtën strategji, ku interesi parësor është konsolidimi i pushtetit personal dhe asgjësimi i demokracisë, ai po tenton të manipulojë edhe këtë fatkeqësi në dëm të qytetarëve dhe në interes të tij. Për këtë ai sërish po ndjek një strategji të hollë dhe të mirëmenduar.

Së pari, ai është angazhuar personalisht në përhapjen e frikës dhe panikut. Si ai mjeku i keq që fillimisht të alarmon duke të futur frikën për shëndetin, në mënyrë që të të zhvasë sa më shumë.

Frikêsimi i shoqërisë është një taktikë e njohur e përdorur gjerësisht nga autokratët, për të justifikuar masat e tyre anti-demokratike. Dihet që për shkak të frikës dhe në emër të sigurisë, njerëzit janë gati të heqin dorë nga liritë dhe të drejtat themelore të tyre.

Së dyti, për sa i përket përballimit ekonomik të kësaj krize ai po ecën qorrazi, me vendime të aty-për-atyshme dhe të paharmonizuara ,pa asnjë plan, ose me një plan pa plan, ku prioritet nuk është mbrojtja e pasurisë së qytetarëve, por vazhdimi me rrjepjen e çdo qindarke të pasurisë publike, nëpërmjet tenderave dhe PPP-ve korruptive.

Së treti, ai po manipulon dhe izolon informacionin në mënyrë kriminale duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Duke deklaruar një numër qesharak vdekjesh dhe të infektuarish, ai ia ka dalë të manipulojë deri tani opinionin publik duke e shitur këtë si sukses të qeverisë.

Së katërti, në vazhdën e strategjisë së një njeriu që kërkon të kontrollojë gjithçka, ai nuk lë rast pa sulmuar poshtërsisht këdo, që e sfidon linjën zyrtare të propagandës së qeverisë, duke u justifikuar me togfjalëshin që “kjo është luftë”, a thua se në luftë nuk ka asnjë kontroll dhe lejohet gjithçka. Ndërkohë, që dihet që luftërat krijojnë kushte ideale për lindjen e regjimeve autokrate.

Së pesti, ai jo pa qëllim ka degjeneruar normat informale të sjelljes, duke përdorur një gjuhë banale dhe vulgare kundër opozitës, me qëllim linçimin e saj si ‘tradhtare’ në këtë luftë. Në fakt, e majta kriminale shqiptare nuk është hera e parë që mban këtë qëndrim asgjësues ndaj opozitës.

Pra, jemi akoma në fillimet e kësaj krize dhe abuzimi me pushtetin, nën justifikimin e shpëtimit të jetës së qytetarëve i këtij njeriu, ka kapur përmasa të frikshme. Është e qartë që halli i tij nuk është jeta dhe shëndeti i qytetarëve, por realizimi i axhendës së tij, për konsolidimin e pushtetit personal, asgjësimin e demokracisë dhe goditjen e kundërshtarëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here