Trump planifikon futjen e ekonomisë në shina nga 30 prilli

Presidenti Donald Trump ka thënë vazhdimisht se ai dëshiron të “rihapë” ekonominë e vendit sa më shpejt të jetë e mundur me qëllimin për të zvogëluar dëmin që po shkakton zbatimi i udhëzimeve në masë të gjerë për distancim social si përgjigje ndaj pandemisë së koronavirusit.

“Vendi ynë nuk është ndërtuar për t’u mbyllur”, ka thënë zoti Trump në mënyrë të përsëritur.

Si pjesë e përpjekjes së tij nxitëse, për ta parë ekonominë e vendit të nisë procesin e tranzicionit drejt normalitetit, presidenti pritet të njoftojë krijimin e një grupi të dytë task-forcë brenda Shtëpisë së Bardhë. Sipas gazetës “Washington Post”, grupi i ri do të përbëhet nga zyrtarë të administratës përfshirë shefin e Personelit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows, sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin si dhe përfaqësues të sektorit privat.

Qëllimi i grupit të punës do të jetë identifikimi i mënyrave për të futur sa më shumë sektorë të ekonomisë në shina duke filluar nga data 30 prill, dita kur skadon afati i udhëzimeve aktuale për distancim shoqëror të vendosura nga qeveria federale. Grupi i punës mbi ekonominë pritet të përqendrohet tek identifikimi i llojit të ndihmës që do t’u duhet bizneseve për t’u rihapur.

Sidoqoftë, ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se hapja pa rreziqe e ekonomisë do të kërkojë kohë dhe faktet që vijnë nga Kina, ku virusi duket se e ka humbur fuqinë, sugjerojnë që procesi nuk do të jetë aq i thjeshtë si “të hapësh e të mbyllë sytë”.

Brenda administratës, duket se ka një ndërgjegjësim në rritje që ekonomia amerikane mund të qëndrojë jo aktive për një kohë të konsiderueshme, shumë më gjatë sesa sugjeron presidenti. Dëshira e tij e deklaruar për të parë “kishat e tej mbushura” të dielën e Pashkëve, më 12 Prill, vlerësohet përgjithësisht si jo realiste. Thirrjet për të kufizuar distancimin social për shkak të dëmit ekonomik që po shkakton koronavirusi, të cilave u ka dhënë shumë zë presidenti gjatë javëve të kaluara, duket se kanë rënë në heshtje.

Të martën, këshilltari i lartë për ekonominë i zotit Trump tha se ekspertët e shëndetit publik do të drejtojnë vendimet e SHBA-së se si dhe kur do të reduktohen masat për lehtësimn të situatës.

“Janë punonjësit e shëndetësisë ata që do të drejtojnë vendimet që lidhen me mjekësinë apo shëndetin në vend”, tha këshilltari për ekonominë në Shtëpinë e Bardhë Larry Kudlow në një intervistë për “Politico”.

Zoti Kudlow tha se ai po tregohej optimist dhe se shpreson që në “në katër deri në tetë javët e ardhshme do të jemi në gjendje të rihapim ekonominë dhe se fuqia e virusit do të bjerë ndjeshëm”, siç tha ai.

Në një intervistë për rrjetin televiziv “Fox News”, zoti Kudlow tha se: “Presidenti do të donte të rihapte ekonominë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ne po e planifikojmë këtë gjë brenda Shtëpisë së Bardhë”, por ai dhe pak detaje rreth diskutimeve mbi këtë çështje. I pyetur në lidhje me planet për të inkurajuar rihapjen e bizneseve Nënpresidenti Mike Pence tha të martën se disa nga “mendjet më të ndritura” në Shtëpinë e Bardhë po punojnë për një udhëzim të tillë. Po ai nuk dha një afat kohor dhe theksoi se “vendimi i presidentit në lidhje me këtë do të marrë parasysh të dhënat mbi situatën dhe se kur në mënyrë të përgjegjëgjshme mund të hapim Amerikën e ta fusim atë në punë”.

Zoti Pence e bëri njoftimin ndërsa kishte në krah dy ekspertë të njohur të shëndetit publik, doktor Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive si dhe doktoreshë Deborah Birx, koordinatore e gurpit task-forcë të Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Fauci dhe zonja Birx, duket se ndonjëherë shërbejnë si kundërpeshë ndaj deklaratave dhe parashikimeve shpesh të pasakta ose që kanë pak gjasa të ndodhin të presidentit dhe përkushtimi i tyre për një qasje të orientuar tek të dhënat për masat kundër virusit duket se mbizotërojnë tashmë Shtëpinë e Bardhë. Të martën zonja Birx tha se informacioni që po merr grupi i punës është çdo ditë edhe më i hollësishëm dhe se “analiza e të dhënave siç tha ajo: “po na lejon të marrim vendime shumë inteligjente mbi nevojat, por gjithashtu të kuptojmë se çfarë po ndodh me të vërtetë në të gjithë vendin”. Nëse administrata synon vërtet të udhëhiqet nga ekspertët e shëndetit publik, udhëzimet për rihapjen e vendit mund të bëjnë që edhe kufiri i fundit prej tetë javësh i sugjeruar nga zoti Kudlow të duket tepër optimist.

Gjatë javës së kaluar, instituti konservator i Ndërmarrjeve Amerikane publikoi një raport të autorizuar nga një grup ekspertësh të shëndetit publik, përfshirë Scott Gottlieb-in, i cili ka shërbyer si komisioner i Agjencisë së Ushqimit e Barnave gjatë administratës Trump nga viti 2017 në 2019, që ofron një “strategji” për rihapjen e vendin. Studimi rekomandon një qasje hap pas hapi, gjatë së cilës vendi do t’i kthehej gradualisht një pamjeje në dukje normale ndërsa do të përmirësoheshin kapacitetet për të testuar njerëz e për të trajtuar të prekurit. Autorët propozojnë një proces me katër faza për rihapjen e vendit që parashikon dhe përgatitjen për t’u përballur me pandemitë e ardhshme.

Sipas udhërrëfyesit, Shtetet e Bashkuara ndodhen vetëm në fillim të fazës parë, gjatë së cilën distancimi social përdoren si një masë urgjente për të ngadalësuar përhapjen e virusit në një kohë kur testimet nuk janë ende në nivelet e duhura, kur numri i vërtetë i atyre që janë prekur mbetet i panjohur dhe kur spitalet janë të mbingarkuar ose rrezikojnë të mbikarkohen nga të sëmurët. Faza 2-të do të lejonte një rihapje graduale të ekonomisë në baza rajonale, por “shkëndijat” për kalimin në këtë fazë janë larg nga realiteti aktual.

Sipas studimit, një shtet mund të kalojë pa rreziqe në fazën e dytë kur plotëson katër kritere: një ulje e vazhdueshme e rasteve të reja për të paktën 14 ditë, kur spitalet në shtete të ndryshme të jenë të afta të trajtojnë të gjithë pacientët, kur shteti të jetë në gjendje të testojë të gjithë njerëzit me simptoma të COVID-19 si dhe shteti të jetë në gjendje të kryejë monitorim aktiv të rasteve të konfirmuara dhe kontakteve të tyre. Aktualisht në SHBA nuk përmbushet asnjë prej këtyre kritereve. Edhe në ato zona ku numri i rasteve të reja ka nisur të bjerë, testimet nuk janë ende të përhapura gjerësisht dhe mungesa dramatike e pajisjeve mbrojtëse e ventilatorëve në spitalet e goditura më rëndë tregon se sistemi mjekësor ndodhet në vështirësi të mëdha. Sistemet për monitorim aktiv të rasteve të konfirmuara dhe gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar janë ende në zhvillim.

Faza e tretë e procesit, në të cilën do të hiqeshin të gjitha kufizimet është shumë larg. Sipas raportit, arritja tek kjo fazë do të kërkonte minimumi zhvillimin e teknikave terapeutike që zvogëlojnë fuqinë vrasëse të virusit, ose më mirë, prodhimin e një vaksine për ta parandaluar krejtësisht atë. Në fakt, sipas zotit Gottlieb, do të ishte e paarsyeshme të pritej një rimëkëmbje e plotë e ekonomisë përpara prodhimit të një vaksine të besueshme që do t’u jepte njerëzve paqe mendore për t’u rikthyer në normalitet dhe kjo do të kërkontë paktën një vit ose më shumë.

“Në mungesë të kësaj, do të ndodhë një hapje e ekonomisë në 80 për qind të saj”, tha zoti Gottlieb në një intervistë për rrjetin televiziv CBS gjatë fundjavës.

“Ka gjëra që nuk do të jenë më si më parë. Njerëzit nuk do të grumbullohen më në konferenca. Nuk do të grumbullohen në sheshe. Konsumatorë nuk do të kthehen si më parë në kinema e kruze apo kur të vizitojnë Disneyland-in. Ne duhet ta pranojmë tashmë këtë gjë. Ajo që ndryshon këtë ekuacion është teknologjia. Por ne kemi nevojë për një qasje të matur që të na mundësojë shpejt këtë zhvillim teknologjik” shtoi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here