Tregtarët shpërthejnë ndaj Ramës: Kujt do i shesim kur nuk ka qytetarë?!

Një pjesë e mirë e dyqaneve, me urdhër të qeverisë do të lejohet që nga sot të rinisin aktivitetin e tyre, por shumë tregtarë në zonën e Medresesë janë të paqartë për kushtet.

Me një numër shumë të kufizuar lëvizjesh të qytetarëve, me një konsultim të munguar në e-albania, shumë prej tregtarëve, që janë të vetëpunësuar në dyqane, janë pesimistë për atë që i pret, në këto ditë të para të rikthimit të aktivitetit të tyre.

Disa prej tregtarëve të pyetur nga gazetarja e Fax news Eksiola Shehu, shprehen se kostot e qendrimit për rreth 40 ditë të mbyllur janë ndjerë në familjet dhe jetën e gjithësecilit. Ka dhe nga ata që nuk e dinë nëse aktiviteti i tyre është i lejuar, pasi tregtimi i dyqaneve të specializuar për paisje elektroshtëpiake, është ende i ndaluar në vendimin e qverisë.

Një prej tregtarëve, pikërisht të këtyre paisjeve, e ka hapur sot dyqanin, por ende nuk e di nëse i lejohet apo jo të punojë.

“Jemi 5 anëtarë në familje, e kam marrë pagën e luftës, por nuk mjafton, sa mbulojmë dot me atë. Është e mira që të hapet për të gjithë se kujt do ti shes unë. E kam hapur dyqanin sa për ajrosje, ça të bëjmë, nuk e dimë se është rrëmujë e madhe, a lejohet a jo, nuk na ka thënë gjë asnjë njeri, aq sa dëgjova në televizor”, shprehet qytetari.

Lidhur me vendimin e qeverisë për shtyrjen e pagesës së qerave, tregtarët shprehen se nuk ndryshon asgjë sa kohë që vlera do të paguhet në muajt e ardhshëm, po nga vetë ata.

Gjithë shpresa e tyre mbetet rikthimi i jetës normale, që do tiu sillte edhe blerësit, ndërkohë që kanë marrë të gjitha masat e higjenës, nga përdorimi i maskave, e deri te dizinfektantët, edhe pse thonë se qytetarët tashmë kanë një ndjenjë shumë më të madhe ndërgjegjësimi.