Tregtarët e Vlorës në protest, tentojnë të futen në Bashki, përplasje me policinë

Të mbetur pa punë prej 12 ditësh, një përfaqësi e 100 tregtarëve ambulantë që ushtronin aktivitetin te “Tregu i Orizit” në Vlorë i janë drejtuar bashkisë me një kërkesë për hapjen e tregut.

Në listën që mban emrat e të gjithë tregtarëve i kërkohet kryetarit të bashkisë dhe këshillit bashkiak t’u japë një zgjidhje se çfarë do të bëhet me ta.

Sipas tyre, tregu ofron të gjitha kushtet optimale për të shitur, teksa kujtojnë se janë taksapagues të rregullt të bashkisë.

“Zgjidhje zyrtare nuk kemi marrë akoma. Janë mbi 100 familje që nuk kanë punë tjetër, kjo është e vetmja mundësi mbijetese. Jemi kundër zhvendosjes. Kanë pasur mundësi, kohë dhe vend për të bërë treg shumë të mirë. Kanë marrë votat, janë ulur në karrige dhe nuk kanë bërë asgjë. Malli është në depo dhe prishet. Ku do të shkojnë këta njerëz. Mundësi punësimi të tjera nuk ka”, u shpreh një nga tregtarët.

Para bashkisë nuk munguan edhe tensionet mes tyre dhe policëve bashkiakë që kishin bllokuar derën ndërsa tregtarët që kërkonin të hynin brenda për të dorëzuar kërkesën.