Thirrja e ish-deputetit: Mos vazhdoni të gaboni, dielli, uji, ajri duhen shfrytëzuar kundër Covid-19!

Ish-deputeti Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë shprehet se, qeveria nuk duhet t’i mbajë të bllokuar nëpër shtëpi qytetarët, por me ardhjen e verës t’u krijojë mundësitë të shfrytëzojnë diellin, ajrin, ujin si mjete efikase kundër epidemisë.

Reagimi i Shehut në Facebook

Mos vazhdoni të gaboni, dielli, ujërat, ajri e hapësirat shqiptare duhen shfrytëzuar kundër Covid-19! Nuk ka asnjë dyshim që kontakti sa më i gjatë me diellin, drita natyrale në terësi, ujërat, veçanërisht ato detare, shkatërrojnë Covid-19 dhe rrisin imunitetin e njerëzve, duke dobësuar forcën e epidemisë.

Vendi ynë është në një pozicion gjeografik të favorshëm për këtë, siç quhet “helio e hidro terapi”, veçanërisht tashti që ne u futëm në sezonin me diell e ngrohtësi.

Në këto kushte qytetareve u duhen krijuar mundësitë që të përfitojnë sa më shume nga këto “ilaçe”: në plazhe, parqe, buzë lumenjve, liqeneve, pyjeve, etj, etj.

Kjo do të ulë edhe koncentrimet e banorëve në qytete apo dhe në ambientet e mbyllura familjare, që sot rrezikojnë të bëhen burimi kryesor i kontaminimit.

E kuptueshme që në kushtet e epidemisë e veçanërisht të mungesës së testimeve për të njohur gjendjen, kjo duhet realizuar konform disa rregullave të qarta e të zbatueshme, por këto duhet të jenë racionale, në balancë me përfitimin e madh nga kjo “terapi”, ndoshta aktualisht me efiçiente nga çdo gjë tjetër.

Është detyre e institucioneve shtetërore, që të mos mbajnë të bllokuar qytetarët prej mungesës së vizionit të tyre, por me urgjencë të bëjnë publike këto rregulla duke garantuar zbatimin, pa u bërë pengesë për shfrytëzimin e kësaj mundësie të madhe, që Perëndia e Natyra u ka dhënë shqiptarëve.