Thellohet skandali i vjedhjes me tenderat sekretë. Një testim blihet nga qeveria 4 herë më shtrenjtë se çmimi i tregut

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

Dy ditë më parë, ne denoncuam një nga aferat më të mëdha të qeverisë në kohën e pandemisë. Mbi 200 mijë maska dhe mjete të tjera mbrojtëse janë blerë nga qeveria me dy apo trefishin e çmimit që qytetarët mund ta blejnë në farmaci.

Nga qeveria nuk ka akoma asnjë shpjegim për këtë vjedhje monstruoze. Nuk ka shpjegim pse bleu një maskë 8 mijë lekë, kur secili prej nesh mund ta blejë me 4 mijë lekë.

Deri tani, nga qeveria nuk ka transparencë. Ka vetëm një vendim, i cili klasifikon ketë vjedhje si sekret qeveritar.

Duke i shpallur sekret, qeveria nuk i lejon shqiptarët të dinë sa dhe si janë blerë mjetet mbrojtëse spitalore. Nuk lejon që qytetarët të shohin vetë sesi ka abuzuar qeveria në këtë kohë kritike për të gjithë.

Pas blerjes së maskave me dyfishin e çmimit të tregut, qeveria ka blerë kite për testimin e qytetarëve me 4 fishin e çmimit të tregut. Edhe kjo me kontratë të shpallur sekrete.

Të dhënat e siguruara faktojnë se kitet për testimin e një personi vijnë në Shqipëri me çmimin e tregut 21 mijë lekë të vjetra, ndërsa Qeveria vetëm pak orë më vonë, i blen ato me 85 mijë lekë të vjetra.

Po, po, 4 fish më shtrenjtë! Nga 21 mijë lekë që e kanë çmimin maksimal në treg, qeveria blen 85 mijë lekë një kit testimi. Pra, tenderi sekret është përdorur për të blerë këto pajisje mjekësore me çmim 4 herë më të lartë.

Të blesh 4 herë më shtrenjtë një testim, do të thotë 4 persona më pak të testuar.

Ky është krim! Dhe kur krimin përpiqesh ta fshehësh me kontrata sekrete apo me mungesë transparence, ai bëhet edhe më i rëndë, sepse provon që është bërë me vetëdije për të vjedhur.

Abuzime kaq të mëdha me taksat e shqiptarëve provojnë edhe një herë se Edi Rama ka para në buxhet, por këto para i ka për t’i vjedhur, i ka për t’i ndarë me klientët e tij të preferuar.

Në vend që të sulmojë opozitën, Edi Rama duhet urgjentisht të bëjë 2 gjëra për të zhbërë vjedhjen.

1. Të publikojë kontratat sekrete dhe
2. T’i anullojë çmimet e tyre skandaloze!

Shqiptarët nuk kanë pse të paguajnë një testim me 4fishin e çmimit të tregut. Edi Rama e ka për detyrë t’u kthejë shqiptarëve paratë që po u vidhen.

Me këto para të vjedhura, mund të blihen shumë më shumë kite për të testuar qytetarët që dalja nga kriza mund të bëhet më e lehtë dhe më e shpejtë!

aaa