“Testimet janë kyç për daljen nga karantina”, Basha: Pa testime, nuk mund t’i largohemi rrezikut

Testimet janë kyç për daljen nga karantina. Testimet janë kyç për rikthimin e ekonomisë në lëvizje dhe çdo kosto e testimeve, sado të na kushtojnë testimet, gjithçka tjetër do të na kushtojë shumë më shumë.

Përshëndes zërat gjithnjë e më të fortë të ekspertëve kombëtarë këtu, ju përmendët doktor Piperon, por edhe të tjerë, të cilët janë bërë këto orët e fundit gjithnjë e më vokalë, gjithnjë e më zë lartë për nevojën për të shtuar në mënyrë dramatike numrin e testimeve.

Personalisht, nuk jam mjaftuar vetëm me kërkesën drejtuar qeverisë, kam pasur kontakte edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Për fat të mirë një nga partnerët tanë kryesorë, partneri ynë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ambasadës këtij, përmes një fondi të USAID, ka vënë në lëvizje një mekanizëm, i cili shpresoj që të paktën për dy apo tre javët e ardhshme të bëjë të mundur ardhjen e një numri shumë të madh kitesh testimi në Shqipëri.

Gjej rastin t’i falendëroj dhe të shpreh mirënjohjen time, por besoj edhe të çdo qytetari shqiptar që na gjendet në këtë ditë kaq të vështirë me diçka kaq të domosdoshme. I kam drejtuar OBSH-së një kërkesë prej më shumë se tre javësh për të njëjtën gjë.

Pra, nuk kemi qëndruar thjesht dhe vetëm në rolin e propozuesit, por kemi bërë çfarë është e mundur, sigurisht nga pozitat e opozitës, që testimet të bëhen në mënyrë më masive si dhe të sigurohen mjaftueshëm aparate dhe pajisje testuese për shëndetësinë.

Ky pra është roli ynë, ky është kontributi që po japim për këtë pjesë të betejës dhe dua ta theksoj: pa ditur me saktësi jo vetëm majën e ajsbergut, të gjithë përmasat e ajsbergut nëse përdor këtë metaforë, do të jetë shumë e vështirë t’i largohemi rrezikut, i cili vazhdon të kërcënojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve në Shqipëri.