Situata alarmante nga Covid-19, Ademi: Shumë familje kanë kërkuar t’u bëhet testi, por nuk kanë marrë përgjigje

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka folur për Euronews Albania në lidhje me situatën e pandemisë globale të COVID-19. Metropoli i veriut numëron deri në këto momente 83 persona të infektuar me coronavirus, ndërsa qeveria shqiptare ka ngarkuar me punë zëvendësministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin, për të monitoruar situatën në Shkodër.

Zonja Ademi tha se në Shkodër problemi kryesor për situatën ka qenë mos marrja e përgjegjësive shtetërore, për të zbatuar protokollet në institucionet kryesore, ndërsa solli në vëmendje mosrespektimin e protokolleve në spitalin e qytetit.

“Fatkeqësia shumë e madhe është që kjo çështja e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe po e theksoj, është bërë si një bombë e madhe që do shpërthejë pandeminë. Tani, kjo është shumë e rëndë edhe të vazhdohet të trumbetohet mendoj se është e pavend. Ajo që ka munguar në Shkodër dhe po e ritheksoj, lidhet me faktin e një mungesës së një përgjegjësie për t’ju qasur nevojës së domosdoshme, për t’ju përgjigjur asaj që ka qenë ekzigjente dhe domosdoshmëri në Shkodër. Nëse unë kam thënë kujdes spitalin, kujdes protokollin e shtrimeve në spital. Nëse unë kam thënë të rritet numri i testimeve, në fakt tani po rritet numri i testimeve në krahasim me përpara”, theksoi Ademi.

Kryebashkiakja e Shkodrës u shpreh në Euronews Albania se ka shumë denoncime nga ana e qytetarëve që janë izoluar në shtëpi dhe kanë kërkuar të kryejnë testin e COVID-19, por shërbimi i Urgjencës Kombëtare dhe numri 127 nuk i është përgjigjur thirrjes dhe nevojës së tyre. Sipas saj, nëse numri i testimeve do të ishte më i madh në Shkodër, numri i të infektuarve do të kapej në kohë reale.

“Që nga data 28 shkurt dhe deri në 6 prill mua më është raportuar se janë 168 testime. 6 prilli jemi para dhjetë ditësh dhe sot niveli i testimeve është 467 në Shkodër. Kjo është një indikator i vogël, por që tregon se me rritje e testimeve do të identifikoheshin të gjitha ata që ishin të sëmurë. Unë jam e bindur dhe ka denoncime në Shkodër që janë familje të tëra në shtëpi, që nuk e kanë pasur të mundur t’u bëhet testi apo që kanë raportuar te 127 dhe nuk u është bërë testi.

Prandaj, ky çekani që bie nuk ka lidhje me bashkëpunimin, por me nevojën që duhet të merren përgjegjësi, që nuk mund t’u lihen vetëm njerëzve për t’iu kërkuar që të izolohen. Kjo është një masë që tregon se shteti nuk ekziston dhe shteti nuk të përgjigjet në testim. Fakti që kjo u lihet vetëm qytetarëve, mendoj se kjo nuk është e drejtë. Kjo është ajo trumbetimi që kam bërë unë për të marrë disa përgjegjësi”, tha Ademi.