Shtohen rastet me Covid-19 në Tiranë dhe në Shkodër, 736 të prekur në të gjithë vendin

Në 24 orët e fundit në vendin tonë, janë zbuluar 10 raste të reja me Covid-19 ndërsa numri i testimeve që janë kryer është 212 persona. Ky ka qenë njoftimi i dhënë sot nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa rastet e reja janë shënuar në Tiranë dhe në Shkodër.

Njoftimi nga Zv/Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale

Në kuadër të informimit të përditshëm për situatën e infeksionit Sars-Cov2 dhe sëmundjes COVID-19, ju bëjmë me dije se:

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 212 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 10 raste pozitive me COVID19, nga të cilat 9 raste janë në Tiranë, shumica kontakte familjare, dhe 1 rast i ri është në Shkodër.

Deri në këto momente janë testuar 7491 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 736 raste. Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 422 ose 57.3 % e totalit të të prekurve

Aktualisht në vendin tonë, 286 ose 42.7 % e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.

Deri sot, 28 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 29 të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 pacient është i intubuar.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 pacient është i intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 34 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë dhe Shkodër.