Shpresoj se nuk do të hyjmë në ndonjë epokë më të errët se komunizmi

Nga Erl KODRA

-Ese-

“Para se liderët masivistë të marrin fuqinë, në mënyrë që gënjeshtrat t’i përshtaten realitetit, propaganda e tyre karakterizohet nga përbuzja ekstreme për faktet si të tilla, sepse, sipas mendimit të tyre, fakti varet tërësisht nga fuqia e njeriut që mund ta trillojë atë.”
Hannah Arendt

Toka është kthyer në një mjedis të frikshëm. Lajme mizore vërshojnë anekënd globit për vdekjet e shumta nga pandemia më e madhe që ka pushtuar botën që prej 100 vjetësh. Superfuqitë globale u gjunjëzuan, ndërsa presidentë dhe kryeministra ngjajnë disi qesharakë në përpjekjet e tyre për të intepretuar “stilin e ri të jetës” për shtetasit e tyre.

Ata që dinin gjithçka, tani nuk dinë asgjë, ndërsa gjuha e drunjtë nuk të mbaron më punë. Aq brutale është kjo situatë, sa Kryeministri i Suedise, pyetjes ngulmuese të gazetarëve se si janë parashikimet e autoriteteve, ai kishte deklaruar (diçka të ngjashme):
“Tani gjërat janë keq, por do të bëhen edhe më keq. Pastaj gjërat do të bëhen mirë”.

Njerëzit janë gjendur në një situatë të çuditshme, ata nuk mund të bëjnë ato gjëra të cilat janë mësuar t’i bëjnë gjithmonë, ata nuk shkojnë dot në punë, nuk mund të afrohen me njerëz të tjerë, nuk mund të sillen si zakonisht. Për të mbrojtur shëndetin e tyre, njerëzit duhet të kujtohen se duhet të mbajnë një distancë sigurie fizike, mundësisht disa metra. Por edhe kjo mënyrë e të sjellurit nuk është e sigurtë, sepse infektimet e reja po ndodhin, gjithsesi.

Ekonomia po shkonë në humnerë, ndërsa shtetet u janë kthyer politikave sovrane me kufinjë të mbyllur. Qeveritë e shteteve të pasura po financojnë ekonomitë kombëtare me shuma marramendëse, në përpjekje për të mbajtur të njëjtin standart jetese si më përpara. Por askush nuk e di se sa do të jetë ndikimi real në ekonomi, dhe se, sa kohë do të duhet, para se jeta t’i kthehet normalitetit.

Lajme gjithfare shpërndahen nga çdo vend, çdo qeveri, çdo media. Por asnjë prej lajmeve nuk është ai Lajmi i Madh se njerëzimi e fitoi betejën me SARS CoV2. Deri atëherë, jemi të detyruar të mbajmë shpresën gjallë, se pas territ ka dritë.

***
Ndonjëherë, kombinimi i disa rrethanave fatkeqe, krejt rastësore, mund të kthehen në makthin e shoqërisë. Sidomos në shoqëritë si e jona, që akoma mbizotërohet nga instinktet autokrate, dhe jo normat morale dhe ligjet. Po shpjegohem.

Dy fatkeqësi natyrore, njëra rajonale dhe tjetra globale e goditën Shqipërinë brenda një kohe shumë të shkurtër. Tmerri që po përjetojnë qytetarët nuk mund të rrëfehet me fjalë, prandaj, deomos duhet gjetur ai lloj mekanizmi që mund të ndalojë katastrofën finale. Shoqëria jonë ndaloi së funksionuari, domethënë, gjithçka që mund të konceptojë mendja njerëzore është e ndaluar.

Dhe a e dini?

Ky lloj ndalimi ka lidhje me frymën, me lëvizjen e lirë, me të drejtën për bukë dhe për ujë. Tani, këto të drejta janë të modifikuara sipas “Babait” tonë, fort të madhërishmit Edi Rama i I-rë. Ai na i jep dhe na i merr sipas dëshirës dhe vullnetit të tij të mirë, nëse gjendet në orë të mira, sigurisht.

Imagjinojeni pak Shqipërinë e vitit 2015, 2017 dhe 2019. Mendoni pak gjithçka ka ndodhur përgjatë këtyre viteve, dhe hajde flasim. Mendoni pak edhe luftën e paprecedent të Partisë Demokratike dhe dorëzimin e mandateve. Mendojeni pak edhe Reformën në Drejtësi dhe “Gjykatën Kushtetuese”. Merreni pak me mend edhe procesin politik në të cilin gjendeshim para këtyre dy fatkeqësive.

Dhe hajde t’a rimendojmë edhe njëherë pozitën tonë, ku Ligjet shkruhen dhe lexohen nga Edi Rama, dhe ku qytetarët binden dhe ulin kokën, me sytë nga Ai se kur do të zgjidhë qesen për bukën, për ujin dhe për ajrin.

Zoti ka zbritur në Tokë dhe ka marrë formën e Edi Ramës mjekërbardhë.
Tani Ai nuk ka nevojë as për Taulant Ballën dhe Ulsi Manjën. E drejtë, ata ishin veç një hallkë e panevojshme buroktarike.
Duket se kjo pranverë është nga ato stinë historike që ndryshojnë epoka. Shpresoj se nuk do të hyjmë në ndonjë epokë më të errët se komunizmi.

Por për këtë, është koha të mendojmë seriozisht.