Shpërthejnë protestat e emigrantëve në hotele: Na futën këtu si derra dhe…

Emigrantët e kthyer nga Greqia, të cilët janë akomoduar në hotel “Kalaja” në Pogradec kanë protestuar ditën e sotme përpara hotelit.

Ata kërkojnë një takim me përfaqësues të bashkisë për shkak të kushteve të hotelit, pamundësisë për të paguar akomodimin, por edhe për të siguruar ushqimet.

Një pjesë e tyre janë grumbulluar në hollin e godinës duke protestuar, pa ruajtur distancën dhe pa maska apo doreza.

“Nënprefekti tha mos kini merak dhe na futi këtu si derra ne. Dhe pastaj u zhduk nuk e ngre më as telefonin. Ça të bëjmë ne, vetëvendim?! Fondi është dhënë për hotelin”, shprehen disa prej tyre.

Ndërkohë në një vendim të botuar në fletoren zyrtare 10 ditë më parë thuhet se një pjesë e shpenzimeve për personat e riatdhesuar paguhet nga buxheti i shtetit, ndërkohë që pjesa tjetër i faturohet vetë atyre.

“Shpenzimet e akomodimit të përkohshëm të të riatdhesuarve mbulohen një pjesë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe pjesa tjetër nga personi i riatdhesuar, sipas përcaktimeve të rregullores që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”, sqaron vendimi.

Edhe emigrantët e kthyer nga Greqia që janë karantinuar në një hotel në Korçë kanë dalë në protestë në oborrin e resortit pasi pretendojnë se nuk kanë para për të paguar kostot.

Njëri prej tyre u shpreh se pasi paguajnë 20 mijë lekë çdo ditë dhe që u është thënë se do t’ju paguhet ushqimi, pronarët e resortit ku janë karantinuar nuk kanë hapur restorantin.

“Duan 20 mijë lekë ditë për ditë, na kanë siguru ushqimin, kanë hapur hotelin. Pse nuk kanë vënë ushqime në dispozicion?”, tha njëri prej emigrantëve.

Kujtojmë se emigrantët e kthyer nga vendet e tjera janë karantinuar nëpër hotele të autorizuara nga autoritetet shtetërore dhe ku duhet të kalojnë 14 ditë si të vetëizoluar para se të kthehen në familjet e tyre.