Shkencëtarët: Coronavirusi nuk do të zhduket domosdoshmërisht me rritjen e temperaturave

Një panel prestigjioz tha për Shtëpinë e Bardhë se nuk duket sikur coronavirusi do të largohet me rritjen e temperaturave, ndërkohë që më parë mendohej se muajt e ngrohtë do të “zhduknin” virusin

Sipas tyre, ajo që do të ndikojë në uljen e rasteve të infektimit është imuniteti i popullatës.

Në një letër të drejtuar Shtëpisë së Bardhë, anëtarët Akademisë Kombëtare të Shkencave thanë se të dhënat për coronavirusin janë të përziera dhe vihet re se virusi përhapet aq lehtë në mot të ngrohtë sa edhe në mot të ftohtë.

“Ekzistojnë disa prova që sugjerojnë se coronavirusi mund të transmetohet me efikasitet në mjedise me temperaturë të lartë, në ambiente të lagështa; megjithatë, duhet patur parasysh mungesa e imunitetit,” shkruhej në një pjesë të letrës.

Letra drejtuar presidentit Trump vuri në dukje se një studim i bërë në Kinë tregoi se edhe në kushte maksimale të temperaturës dhe lagështirës, virusi u përhap mesatarisht te dy persona të tjerë për çdo person të infektuar.

Dr. William Schaffner, një specialist i sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore Universitare Vanderbilt, tha se “shpresojmë që moti të japë një kontribut në uljen e transmetimit, por nuk mund të mbështetemi vetëm aty”.

Në letër përmendet edhe rasti i Iranit dhe Australisë, dy vende me klimë të ngrohtë, ku përhapja e coronavirusit po bëhet në ritme të shpejta.

Shkencëtarët thonë se fakti që gripi dhe sëmundje të tjera janë sezonale lidhet edhe me imunitetin e individëve.
Lloje të gripit kanë shpërthyer në mot të ngrohtë dhe më pas kanë pasur një valë të dytë gjashtë muaj më vonë.

Burimi: CNN