Reagimi i fortë i ish-ministrit: Kur edhe mjekët thonë se, Kryeplaku e ndaloi përhapjen e Covid-19 më vjen për të…

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, nisur nga shifrat e përhapjes së koronavirusit dhe masat ekstreme që po merr Shqipëria, ka dalë në përfundimin se” qeverisemi nga të papërgjegjshëm”. Në një shënim, Manjani ka dhënë arsyet pse ka dalë në këtë konkjluzion.

“Cili komitet teknik e shpjegon llogjikën që pas gati 40 ditëve izolim ekstrem, ka të infektuar të rinj dhe nga qytete të tjera përveç Tiranës e Durrësit?! – shkruan Manjani. – Jo për gjë, po kur dëgjoj dhe mjekë që thonë se masat e Kryeplakut e ndaluan përhapjen, më vjen për të vjellë!

Ja sa bukur e kanë ndaluar përhapjen! Përditë konstatohen raste në qytete të tjera.

Kjo tregon se virusi ka qenë dhe mbetet midis nesh, pavarësisht llogjikës së kalbur të shifrave zyrtare me pacient o imagjinar. Virusi ishte prezent që në fillim të vitit,siç dëshmojnë njerëz të gjallë dhe siç e pranoi edhe zonja Bino. Tani është në një valë të dytë ose ndoshta të tretë goditje.

Shqiptarët e kaluan e po kalojnë si çdo virozë tjetër. Ato që nuk arritën ta kalojnë janë më shumë sesa ato që mbetën në spital,por qartësisht shumë më pak sesa ato që janë shëruar.

Pra masat ekstreme janë idiote, në mos të liga! (Po lë mënjanë kushtetutshmërinë, për efekt të argumentit)

Qartësisht, këto masa, nuk kanë lidhje me ndalimin e përhapjes së virusit. Jo ëeekend-et, por edhe gjithë javën ta mbyllin nuk e kontrollojnë dot më. Sepse asnjë ditë të vetme nuk e ndaluan dot virusin. Ai(virusi) shëtiti për qejf të vet gjithë këto kohë. Tashmë është duke u zbythur…

Kur mendoj që u bë një kongres dhe një miting në kulmin e inkubacionit, që kufijtë ishin të hapur dhe asnjë kontroll mjekësor nuk bëhej, them se qartësisht qeverisemi nga të papërgjegjshëm!

Kushdo që ende ndjehet si një prej atyre 18 000 dëshmorët virtualë, por që e ka jetën prej këtyre të papërgjegjshmëve, nuk bëhet më! Vështirë të ketë më spital psikiatrie t’i marrë në dorëzim…

Të shpresojmë që të paktën të fillojnë ndonjë test real, që të hapet jeta. Siç po bëjnë të gjithë shtetet e dëmtuara realisht nga COVID.