Qeveria po i zgjat jetën koronavirusit

Nga Ergys MERTIRI

Qeveria po pengon imunizimin e popullatës dhe po i zgjat jetën virusit.

Masat e izolimit, u panë si një domosdoshmëri për të mos lejuar kolapsimin e sistemit shëndetësor nga fluksi i të sëmurëve që do të vërshonin drejt spitaleve. Për këtë u sakrifikua, jo vetëm stërmundimi i njerëzve, duke i mbajtur mbyllur për javë të tëra në arrest shtëpie, por edhe ekonomia që po shkatërrohet. Shëndeti mbi të gjitha.
Por, le ti hedhim një sy shifrave që na jep qeveria!

Të dhënat tregojnë se gjatë këtyre ditëve, në të dy spitalet që trajtojnë Covid-in (infektivi dhe senatoriumi) ka pasur rreth 10 pacientë në terapi intensive. Vetë Kryeministri ka thënë se kapaciteti ynë shëndetësor, ka potencial për 200 pacientë që kanë nevojë për pajisje aspiratore, dhe se ky kapacitet do rritet edhe më tepër.

Pra, masat represive, si askund në Europë që Edi Rama ka marrë, jo vetëm që janë tepër, por janë të dëmshme.

Sipas epidemiologëve, ne do infektohemi në masën 70 përqind, derisa popullata të fitojë imunitet ndaj virusit. Nëse ne e kemi ngadalësuar përhapjen me një të njëzetën e kapacitetit tonë spitalor, kjo do të thotë se po vonojmë imunizimin, duke zgjatur agoninë e ekonomisë dhe duke lodhur njerëzit të cilët mbahen në shtëpi nën kërcënim policer.

Jo vetëm kaq, por kapacitetet mund të rriten edhe më shumë, nëse alternojmë mbajtjen në ekuilibër të sistemit, me testet të përdorura për gjurmime të hollësishme epidemiologjike. Në vend që të luftojë për të izoluar sëmundjen, qeveria ka zgjedhur të izolojë njerëzit dhe kjo është paaftësia e saj më e madhe.

Nëse të gjitha këto, do të shoqëroheshin edhe me një plan masash për kufizimin e kontakteve të shtresave më të kërcënuara, vendi do t’ia kishte hedhur pa pasur nevojë për një nivel të tillë shtrëngesash, dhe pa shkaktuar një kosto të tillë vrastare për ekonominë.

Por, Kryeministri Rama zgjodhi një tjetër strategji. Ai luajti në fushën e piarit, jo në atë të menaxhimit të sëmundjes. Ai zgjodhi të terrorizojë popullsinë, duke folur për armiq që na bombardojnë në mënyrë të padukshme, duke u shfaqur si shpëtimtar i popullit që po na mbron nga vdekja.

Si një xhonglier i politikës së spektaklit, ai nuk mund të zgjedhë të menaxhojë në mënyrë normale situate të tilla. Duhet prodhuar një situatë anormale, për veprime anormale, të përshtatshme për politikanë anormalë, siç i kërkon spektakolarizimi i politikës. Kostot i paguajnë gjithmonë qytetarët.