Pyetja e mjekut të njohur që ka tërhequr vëmendjen e opinionit

Doktor Ilir Allkja, një nga mjekët që ndodhet në “fushën e betejës” ndaj Covid-19, por edhe një nga zërat më të fortë dhe të angazhuar në lirinë e të shprehurit në fushën e mjekësisë, i drejtohet opinionit publik me këtë pyetje: A je i lirë?

Bëjani këtë pyetje një miku, një fqinji, një të afërmi dhe nëqoftëse ai do t’ju përgjigjet;

– Po, jam i lirë, me siguri po ju gënjen!

Pyes para një viti një fqinjin tim, që ishte në hall sepse qeveria do t’i prishte shtëpinë që kishte ndërtuar para 22 vitesh!

E dëgjova tërë historinë e mundimshme të ndërtimit të një shtëpie përdhese në periferi, odisenë e përpjekjeve për ta legalizuar, shuma parash të paguara nën dorë por edhe me faturë tek zyrat e shtetit.

I pamundur të zgjidhja hallin e tij e pyes:

– A je i lirë ti Agim?

Në konfuzion nga pyetja, u shkund, hoqi cigaren nga buzët e m’u kthye serbes:

– Bereqaves po. Po punoj, po ushqehem, po rris fëmijët, çfarë du më shumë se kaq!

– Ndoshta s’më kuptove, ja kthej, dua të më përgjigjesh nëse je i lirë të kundërshtosh qeverinë, të protestosh se po të prish shtëpinë, do dalësh me qera me 3 fëmijë, me gruan e me nënën e sëmurë!

– Jo more burrë, as e menoj unë. Luftë me shtetin nuk bohet. Të marrin m’qafë kto o doktor, më heqin nga puna e vdesim për kafshatën e bukës!

E pashë në sy, i dëshpëruar, u bëra gati t’i kërkoja një cigare, por premtimi që i kam bërë vetes për të mos e rifilluar, më mbajti duart.

A je i lirë?

Sa njerëz ka munduar kjo pyetje që nga rendi primtiv skllavopronar, ku skllavi ishte i lirë të punonte e ushqehej e deri në pseododemokracitë e reja ku punonjësi ka liri të punojë e të ushqehet!

Pas videomesazhit tim, në të cilin denoncoja triazhimin e dobët dhe nisjen pa veshje speciale nga QKUM në rastet e dyshuara për COVID-19, dhjetëra miq, më këshillonin;

– Po rri more burrë mos fol. Nuk do e rregullojmë ne këtë vend, merr rrogën dhe mbyll gojën. Të lejnë pa bukë këta !

Miq, unë po ju pyes ju, a jeni të lirë !

Në vitin 2020 duhet të këmbejmë lirinë, gjënë më të shenjtë për të cilën jetojmë, me kafshatën e bukës si në rendin prehistorik të skllavopronarisë???

Me respekt,
Ilir Allkja