Pse Trump e quajti OBSH-Kino-centrike, kreu i saj u zgjodh me lobimin kinez

Tedros Adhanom Ghebreyesus, një personazh pak i njohur përpara pandemisë së koroanvirusit, arriti të bëhej drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Dr. Tedros- që nuk ka praktikuar kurrë si mjek, është një politikan karriere, që lindi në atë që njihet sot si Eritrea. Pasi studioi në Angli, ai arriti të bëhej ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Etiopisë. Më pas u bë ministër i Jashtëm dhe në vitin 2017 mori drejtimin e OBSH.

Ai është tani nën akuza të ashpra pasi thuhet se mbuloi përmasat e vërteta të situatës, duke vlerësuar Kinën për ‘masat e marra dhe për transparencën e treguar’ në fillimet e shpërthimit.

Kjo ka bërë që presidenti amerikan, Donald Trump të udhëheqë akuzat ndaj tij duke e quajtur Kina-centrik. Madje Trump thotë se ai do të pezullojë fondet që SHBA jep për OBSH. Ai sugjeron se ata kanë mbajtur fshehur informacionet për koronavirusin.

Në fakt, Daily Mail shkruan se nuk është hera e parë që dr. Tedros flirton me Kinën.

Pas zgjedhjes së tij në vitin 2017 pati akuza se diplomatët kinezë ishin angazhuar fort për të lobuar për emrin e tij. Të dhënat tregojnë se gjatë kësaj kohe pati vërshim të fondeve kineze për buxhetin e Etiopisë dhe të OBSH.

Më herët një senatore amerikane tha se ai është një komunist.

Në fakt sipas Daily Mail, dr. Tedros ka punuar si zyrtar shëndetësie në regjimin e diktatorit marksist Mengistu Haile Mariam. Më vonë iu bashkua një grupi ekstremist komunist që ndihmoi në rrëzimin e Mariam.