Pence: 300 mijë teste në ditë dhe rikthim në punë

Nënpresidenti amerikan Mike Pence dhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, shkëmbyen polemika të dielën lidhur me mungesat në testet për koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, por thanë se janë pranë një marrëveshjeje për fonde shtesë për bizneset e vogla të mbyllura nga pandemia, në mënyrë që të mund të paguajnë punonjësit dhe të mund të rihapen kur të vijë koha.

Zoti Pence, kreu i grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, tha në emisionin “Fox News Sunday” se beson se ka një numër testesh në dispozicion në gjithë vendin, “të mjaftueshëm” që çdo shtet të fillojë fazën e parë të udhëzimeve të reja të qeverisë për rikthimin gradual të vendit në punë dhe në një ndjesi normaliteti.

Shtetet e Bashkuara kryejnë aktualisht 150 mijë teste për koronavirusin në ditë, por disa ekspertë thonë se duhen bërë 500 mijë të tilla në ditë. Pence tha se mendon që qeveria mund të arrijë në kapacitetin 300 mijë në ditë, për të cilin shtois është një numër I mjaftueshëm që t’u jape amerikanëve “besimin dhe mjetet për t’iu rikthyer punë”.

Megjithatë zonja Pelosi, udheheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve me shumicë demokrate e sulmoi mpnyrën e menaxhimit të krizës nga Shtëpia e Bardhë dhe përgjigjen e ngadaltë të qeverisë për testimet.

“Jemi shumë mbrapa me testimet”, i tha ajo televizionit Fox News. “Shumë mbrapa. Presidenti merr notë ngelëse”.

Por si zoti Pence dhe zonja Pelosi thane se Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit demokratë janë pranë një marrëveshjeje për t’i shtuar edhe 250 miliardë dollarë fondit për të ndihmuar mijëra biznese të vogla në Shtetet e Bashkuara që janë detyruar të mbyllin operacionet e tyre, për shkak të urdhrave për të ndenjur në shtëpi, të 43 prej 50 guvernatorëve të shtetit për të frenuar përhapjen e virusit.

Presidenti Trump dhe Kongresi fillimisht miratuan një fond prej 350 miliardë dollarësh për biznesin e vogël, por me mijëra aplikime nga bizneset, fondi shterroi javën e kaluar dhe qeveria ndaloi pranimin e aplikimeve të reja.

Nëse bizneset i shpenzojnë fondet për të paguar punonjësit gjatë tetë javëve të ardhshme, qeveria thotë se ato nuk do të kenë nevojë t’i rikthejnë paratë. Përndryshe, nëse paratë nuk shpenzohen për rroga dy muajt e ardhshëm, ato do të konsiderohen një hua që duhet paguar.

“Jemi shumë pranë”, tha zoti Pence, për një marrëveshje të re për ndihmën për bizneset e vogla.

Zonja Pelosi tha në emisionin “This Week, të ABC-së se “jemi pranë, jemi në një emërues të përbashkët”, për miliarda dollarë shtesë për bizneset e vogla, për të ndihmuar spitalet që janë të mbingarkuar nga pacientën me koronavirus.

“Bizneset do t’i marrin paratë pa vonesa”, tha ajo.

Udhëheqësi i demokratëve në senat, Chuck Schumer i tha CNN-it se “kam shumë shpresë se do të arrijmë një marrëveshje të dielën në mbrëmje ose të hënën në mëngjes”.

Zonja Pelosi e përshkroi qëndrimin e demokratëve në negociata si “të miratojmë sa të mundemi për ata që po ndihmojnë në këtë luftë në mënyrë që të hapim ekonominë së shpejti”.