PD takohet me fasonët në Krujë: “Qeveria refuzon të na takojë. Asnjë masë mbështetëse, vetëm kurthe e gjoba”

Përfaqësues të Partisë Demokratike u takuan me shoqatën e biznesit fason në Krujë, ku është vendosur numri më i madh i fasonerive në vend dhe përhapja e virusit nga një fasoneri ka prekur 114 persona në më pak se dy javë.

Përfaqësuesit e PD Albana Vokshi, Orjola Pampuri, Çlirim Gjata dhe Gent Strazimiri biseduan me biznesin fason pas kërkesës së tyre për të diskutuar me përfaqësuesit e qeverisë, parlamentit dhe të opozitës çështjet kryesore që ndihmojnë këtë biznes të mos falimentojë nga mungesa totale e mbështetjes së qeverisë.

Në takim u mësua se asnjë përfaqësues i qeverisë apo deputet i zonës nuk ka pranuar të takohet me shoqatën e fasonëve të Krujës, megjithëse situata aty po rëndohet çdo ditë nga përhapja me shpejtësi e virusit.

Përfaqësuesit e fasonëve shprehën gatishmërinë për të mbyllur aktivitetin e tyre deri në një moment, por kërkojnë që qeveria të paguajë punonjësit.

“Deri tani, qeveria ka menduar vetëm të na ngrejë kurthe për të na gjobitur, në mënyrë që ne t’i mbyllim vetë fasoneritë dhe t’i paguajmë vetë punonjësit pa asnjë ndihmë prej tyre. Na vendosin protokolle sigurie të pazbatueshme, pa marrë parasysh që punonjësit nuk punojnë dot me doreza, linja e prodhimit dëmtohet nga vendosja e makinerive larg njëra-tjetrës dhe pastaj na vendosin gjoba 5 milionë, 7 milionë për të na e bërë të pamundur punën, duke na çuar drejt mbylljes së detyruar pa marrë asgjë përsipër për punonjësit”- u shprehën të shqetësuar përfaqësuesit e fasonëve në Krujë.

Një nga problemet kyç që ata ngritën ishte heshtja e qeverisë për këtë situatë. Ata treguan se i kanë dërguar 4 herë kërkesa qeverisë që prej 23 marsit, por askush nuk u ka kthyer përgjigje. Ndryshimi kaotik i kushteve që duhet të plotësojnë dhe gjobat janë i vetmi reagim i qeverisë për këto fasoneri, që punësojnë mbi 5 mijë gra dhe vajza nga Kruja dhe zonat përreth.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike siguruan fasonët se kanë mbështetjen e opozitës për çdo kërkesë që vë të parin shëndetin e punonjësve dhe pagesën e tyre, duke theksuar se ky është një detyrim ligjor i qeverisë.

3 20

4 10

2 37