PD i kërkon KLSH hetimin e 17 tenderave: Me fondet e vjedhura mund të ishin ndihmuar mijëra familje dhe biznese në vështirësi

Abuzimi miliona lekë me tenderat sekretë, PD i kërkon KLSH-së hetimin e 17 tenderave. PD: Me fondet e vjedhura mund të ishin ndihmuar mijëra familje dhe biznese në vështirësi.

Partia Demokratike ka vënë zyrtarisht në lëvizje Kontrollin e Lartë të Shtetit për të hetuar abuzimet me tenderat e disa ministrive, shumica prej të cilëve të klasifikuar sekret nga qeveria. Nëpermjet një kërkese zyrtare, opozita shpreh shqetësimin se përmes këtyre procedurave jotransparente, paratë e shqiptarëve janë përdorur në mënyrë abuzive dhe korruptive.

Bëhet fjalë për 17 tendera të Ministrisë së Mbrojtes, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, që kanë paracaktuar fituesin në blerjen e paketave ushqimore apo mjeteve mbrojtëse mjekësore antiCOVID.

“Të gjitha këto procedura, për aq sa janë bërë publike, provojnë paracaktimin e fituesve dhe një rritje fiktive të çmimeve të blerjes së mallrave të prokuruara. Pjesa dërrmuese e kontratave është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe nuk është bërë as publikimi i ofertave, as publikimi i kontratës”, thuhet në kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Aty shpjegohet se pjesa dërrmuese e procedurave janë klasifikuar në kundërshtim flagrant të ligjit si procedura sekret, duke eleminuar çdo minimum transparence mbi to”.

Partia Demokratike ka deklaruar më herët se me këto kontrata sekret, me çmime 2-3 herë më të larta se tregu, janë abuzuar miliona lekë, të cilat mund të ishin përdorur për të ndihmuar më shumë bizneset apo qytetarët në vështirësi të rënda ekonomike.

Duke vënë në dukje interesin publik për garantimin e përdorimit të mirë të fondeve publike, Partia Demokratike kërkoi nga KLSH bashkëpunim për auditimin në një kohë sa më të shpejtë të mundshme të këtyre procedurave të prokurimit.