“Nuk tregoi besnikëri sa duhet ndaj Partisë dhe shokut Xi” arrestohet zv.ministri i Sigurisë në Kinë

Zëvendës ministri kinez i sigurisë publike, Sun Lijun, është arrestuar nën akuzat se “ka shkelur disiplinën e partisë dhe ligjin,” tha entiteti kryesor i Partisë Komuniste kundër korrupsionit.

Analistët e përshkruajnë zotin Sun si një “atentator të padukshëm”, i cili ka luajtur një rol kryesor në përpjekjet e Presidentit Xi në 2015 për të kapur dissidentë, përfshirë pasues të lëvizjes Falun Gong dhe juristë për të drejtat e njeriut.

Arrestimi i tij, thonë vëzhguesit, pas burgosjes së ish-shefit të Interpolit, Meng Hongwei në fillim të vitit për marrje rryshfeti, tregon se po bëhen lëvizje në rrethin e brendshëm të udhëheqjes së Presidentit Xi në këtë situatë të trazuar nga koronavirusi dhe kritikat e drejtuara ndaj Kinës për reagimin ndaj epidemisë.

Pastrimet partiake

“Këto nuk janë hetime kundër korrupsionit. Këto janë sinjale ndaj të gjithë partisë për kontrollin që ushtron Xi Jinping,” tha një jurist për të drejtat civile për Zërin e Amerikës, duke folur në kushte anonimiteti. Ai e krahasoi arrestimin e zotit Sun me konfliktet e brendshme në kohën e Mao Cedunit. Mao ishte themeluesi i Republikës Popullore të Kinës dhe besonte në kontroll të fortë të partisë mbi të gjitha aspektet e jetës.

Sipas juristit, Sun mund të jetë arrestuar se nuk shihej si “besnik sa duhet”.

Një tjetër aktivist thotë se Sun akuzohej se “kishte treguar mungesë respekti” – një akuzë se ai nuk ka treguar besnikëri ndaj udhëheqësit Xi.

Të dielën në mbrëmje, Ministria kineze e Sigurisë Publike nxori një deklaratë, ku shprehte mbështetje për hetimet, në kuadër të fushatës së Presidentit Xi për të çrrënjosur korrupsionin.

Pa dhënë shembuj të akteve të zotit Sun, munistria shpjegonte se si anëtarët e partisë duhet të dëshmojnë “besnikëri absolute” ndaj boshtit, një term që i referohet zotit Xi. Ministria shtonte se anëtarët duhet të tregojnë kujdes për të mos vepruar si njerëz “me dy fytyra”.

Sun, 51 vjeç, ka kryesuar agjencinë që merret me sigurinë e brendshme politike dhe çështjet e sigurisë me Hong Kongun në ministrinë e sigurisë publike.

Më parë, ai ka qenë drejtor i zyrës për Hong Kongun, Makaun dhe Tajvanin në këtë ministri, si dhe zëvendës drejtor i zyrës 610, e cila merrej me shtypjen e pasuesve të Falun Gongut.

Sun është parë për herë të fundit në Wuhan përkrah Presidentit Xi, në përgjigje të epidemisë së koronavirusit.

Manjati në mërgim Guo Wenqui tha se zoti Sun nuk konsiderohej kurrë ndër të besuarit e afërt të zotit Xi, pasi kishte punuar nën Meng Jianzhu – ish-sekretar i komitetit të Partisë Komuniste për çështje politike dhe ligjore.

Banda e Shangait

Guo tha se Sun dhe Meng ishin pjesë e një grupi që kishte marrë nofkën Banda e Shangait, e udhëhequr nga rivali politik i zotit Xi, ish-presidenti Jiang Zemin. Zoti Jiang ishte në detyrë kur Britania dorëzoi kontrollin mbi Hong Kongun dhe shihet si arkitekt i reformave që e ndihmuan Kinën të bëhet një fuqi ekonomike globale.

Zoti Guo e quan Sun Lijun “vrasës,” duke thënë se Sun duhet të mbahet përgjegjës për vrasjen dhe persekutimin e disidentëve në vend dhe jashtë tij. Ai fajëson zotin Sun për shpronësimin e zotërimeve të tij.

Sipas Guo Wenqui, zoti Sun ka grumbulluar miliarda dollarë zotërime në llogaritë bankare të gruas në Australi, ku jeton bashkëshortja e tij me djalin 19-vjeçar, të dy shtetas australianë.

I Sakrifikuar nga Xi

Wang Xili është disident kinez me banim në Tajvan. Ai thotë se arrestimi i zotit Sun është pjesë e hetimeve për korrupsion, ose rezultat i konflikteve të brendshme. Zoti Wang thotë se beson që partia po përpiqet ta përdorë arrestimin e zotit Sun për të mbuluar persekutimet e mëparshme të juristëve që punonin për të drejtat civile. Zoti Wang thotë se Sun mban një pjesë të fajit për persekutimet e 2015-ës.

“Sun Lijun ishte komandant i përgjithshëm i fushatës së goditjes së disidentëve më 9 korrik. Shumë burime kanë konfirmuar se agjentët shtetërore i raportonin atij drejtpërdrejt”.

Arrestimi i zotit Sun ka zgjuar diskutime të ndezura në Twitter. Disa e quajnë rastin e tij sinjal për anëtarët e tjerë të partisë se do të sakrifikohen nëse zgjedhin anën e gabuar.

Në faqen kineze të komenteve, Weibo, mijëra vetë që kishin shprehur opinione ishin censuruar, përveç atyre që kishin shprehur mbështetje për arrestimin e zotit Sun.