Nëse do të njohësh një institucion, duhet të njohësh titullarin e tij

Nga Elona CASLLI

Nëse do të njohësh një institucion, nuk është e nevojshme ta vizitosh këtë të fundit. Mjafton vetëm të njohësh titullarin dhe pashmangshmërisht ke njohur edhe institucionin.

Titullari është njëkohësisht edhe fytyra edhe brendia e një institucioni.

Rrjetet sociale na japin mundësi, jo vetëm të mbajmë lidhje dhe të rifitojmë lidhje me miq në të shkuarën, por edhe të lexojmë qartë individët që janë në krye të institucioneve shqiptare.

Nga një vizitë e thjeshtë në profilin e disa titullarëve në vend, vihet re qartazi mungesa e seriozitetit në pothuajse çdo postim.

Kemi një Ministre të Kulturës, që na përshëndet me batuta filmash, që na paraqet oraret e shfaqjeve për fëmijë, sa për një çast mund ta ngatërrosh me biletarinë e një teatri. Ministrja përshkruan edhe eskursione të zakonshme fëmijësh nën etiketimin ” Edukimi përmes kulturës”.

Kjo është një mungesë e thellë serioziteti kundrejt taksapaguesve dhe kundrejt institucionit, që kjo ministre drejton. Nuk guxoj të mendoj, se ç’ndodh brenda asaj ministrie, kur shoh se ç’bëhet jashtë saj.

Kemi një kryebashkiak, që mbjelljen e një peme, ose vendosjen e dritave në një palestër e quan arritjen e fundit të bashkisë, ndërkohë që gjithçka paguhet nga taksat tona.

Një kryebashkiak, që në çdo postim shfaq hapur paditurinë e tij dhe njohuritë e tij të gjymtuara në gjuhën shqipe.

Një kryebashkiak, që i përdor fëmijët në mënyrën më të frikshme dhe që na fyen çdo ditë, me vulgaritetin dhe rrugaçërinë e tij.

Nuk e kam hiç të nevojshme t’i njoh nga afër zyrat e bashkisë, pasi përmes kryebashkiakut mund të hamendësoj fare lehtë se ç’punë bëhet brenda tyre.

Kemi një kryeministër, që fillimisht filloi të citonte urtinë e shenjtë e mandej vijoi me rubrikën e fjalëve të çmuara.

Një kryeministër, që ka harruar prej vitesh, që është kreu i ministrave dhe që qëndron në facebook me pasionin e pashembullt të një adoleshenti.

E frikshme është prirja e Rilindjes, pë të qenë e pranishme çdo ditë në Facebook.

Nuk ka rëndësi se ç’thuhet. E rëndësishme është të postohet diçka.

Në të vërtetë është krejt e kundërta. Rrjetet sociale mund të shërbejnë si mjet informimi kur përdoren mirë. Në rastin kur përdoren keq, shërbejnë vetëm për të treguar lakuriq papërgjegjshmërinë e individëve që na qeverisin, që na fyejnë çdo çast me postimet dhe aktivitetin e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here