Ndërron jetë një i infektuar me koronavirus në spitalin Infektiv

Një pacient mbartës i koronavirusit mësohet ka ndërruar jetë sot në spitalin Infektiv në Tiranë.

Pacienti 69-vjeçar nga Shkodra që ka ndërruar jetë në spitalin infektiv u infektua me Covid-19 nga infermierja në Shkodër.

69-vjeçari ishte sjellë në Tiranë nga qyteti i Shkodrës në gjendje të rëndë ndërsa kishte edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Sipas Spitalit Infektiv, 69-vjeçari nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19, pasi ishte bartës i virusit, por pa shenja të sëmundjes, (asimptomatik) dhe ka ndërruar jetë si pasojë e hemoragjisë cerebrale.

69-vjeçari ishte prej 13 vitesh me tumor në kokë dhe kishte kryer 3 ndërhyrje. Ai gjithashtu kishte hemorragji cerebrale dhe ishte në gjendje të rëndë në koma.

“Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’i referoheni njoftimeve zyrtare“, shkruhet në reagimin e ministrisë.