Mjeku i njohur Ilir Allkaj: Letër e hapur Ministres së Shëndetësisë së Shqipërisë

E nderuar Zonja Ministre e Shëndetësisë !

Tashmë COVID-19 është një pandemi, dhe unë në këtë lutje ndaj Jush, nuk dua të diskutoj këtë. Disa vende janë goditur më shumë se disa të tjera, por ndikimi ndihet thellësisht në një shkallë botërore, dhe kuptohet më mirë se sa askund në komunitetin mjekësor.
Lutja ime nuk ka të bëjë me vetë virusin apo dëmet që i shkakton trupit të njeriut por me cfilitjen që ju shkakton burimeve tona mjekësore.

Dihet që COVID-19 shkakton infeksion pulmonar.
Infeksioni pulmonar shkakton ARDS, sindromi i insufiçiencës respiratore acute.
Në ARDS i sëmuri është i pamundur të marrë frymë vetë, dhe trajtohet vetëm në njësitë e kujdesit intensiv me frymëmarrje të drejtuar.
Ne edhe respiratorët , ashtu si gjithë bota, i kemi të kufizuar në numër, por le të jemi optmistë që mund të kemi pa limit.
Siç e dimë mirë, në Shqipëri (por jë vetëm) nuk kemi mjaft mjekë reanimatorë por edhe ventilatorë për të trajtuar një fluks të rritur të pacientëve.
Prandaj, nevoja kalon te personeli mjekësor shtesë që ka specializim apo trajnim.

Ministria e Shëndetësisë do të bëntë një punë të lavdëruar por tejet të dobishme nqs në këtë kohë do të ndërmerrte kualifikimin, trajnimin e shumë mjekëve dhe infermierëve për kujdesin intensiv (intubimin, reanimimin dhe asisitimin e të sëmurëve me ARDS) në mënyrë që të jemi gati për ndonjë skenar më të keq. (Lavdi Zotit mos ndodhtë kurrë).

Nuk është vetëm Shqipëria por mbarë bota që ka nevojë për reanimatorë sot !
Ministria e Shëndetësisë, Fakulteti i Mjekësisë sot duhet të mendojnë për një skenar më të rëndë, me qindra të sëmurë që kanë nevojë për frymëmarrje të drejtuar.
Gjasat për të patur nevojë për mjekë të kualifikuar të kujdesit intensiv duhen vlerësuar , dhe është e pafalshme të mbetemi përsëri me duart nga qielli (ti lutemi Zotit).

Shembulli vjen nga Italia, e cila i ka thirrur të gjithë ata që kanë një gradë mjekësore, pa marrë parasysh çfarë niveli të ndihmojnë.

Edhe Ju zonja Ministre, keni ftuar studentët, pensionistët, por që të jesh i përgatitur do të thotë të jesh i kualifikuar, i trajnuar për të shpëtuar sa më shumë njerëz.

Natyrisht, është e pamundur të kualifikohemi të gjithë për të qenë një mjek reanimatorë, sidomos në një kohë kaq të shkurtër, por një kurs trajnimi disa ditë ose javë, (si ta gjykojnë politikëbërësit e sistemit) për të qenë të aftë për kujdes intensiv në këtë kohë për të qenë gati për një skenar më ogurzi është i domozdoshëm.
Sot kushdo është i qartë se qëllimi për këdo që thirret për të ndihmuar është thjesht ky: Të jetë i aftë për të shpëtuar jetë !

Ministria e Shëndetësisë duhet të gjejë mënyra on-line, ose direkt në spitalet COVID 1 dhe 2 në Tiranë për të trajnuar sa më shumë staf mjekësor për njësitë e kujdesit intensiv: Më mirë të pregatitë staf dhe të mos kemi nevojë në ditët që do të vijnë , se sa të kemi një skenar të zi e të ndodhemi me duar përpjetë .

Të punojmë me mençuri e përkushtim bashkë që sistemi jonë i brishtë të mos kolapsohet nga pakujdesia apo papërgjegjshmëria!
Ju lutem zonja Ministre nisni një program trajnimi për njësitë e kujdesit intensiv, të jemi të gatshëm të shpëtojmë sa më shumë jetë !

Me konsideratë Ilir Allkja, mjek .
(Pavarësisht se unë jam një qytetar opozitar me qeverisjen tuaj, besoj se do të prevalojë lutja ime si mjek i përkushtuar ndaj vendit tim )

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here