Mjeku i infektuar në krye të detyrës: Si e mora vesh që edhe vajza ishte prekur nga Covid-19

Mjeku nga Prishtina, Jetish Jetishi u infektua me koronavirus ndërsa ishte në krye të detyrës në repartin e emergjencave.

Pasi u shtrua në spital, gjendja e tij shëndetësore tani është e mirë.

“Gjendja ime është shumë e mirë. Gjendja ime u përmirësua në ditët e fundit që isha shtrirë në klinikë, tani s’kam asnjë problem,”– tha mjeku në një lidhje në Skype me emisionin “Wake Up”.

Doktor Jetishi zbuloi edhe simtomat që shfaqi kur u infektua me COVID-19.

“Kisha lodhje jo të zakonshme, dhimbje muskujsh dhe humbje oreksi, crregullim të nuhajtes. Këto ishin shenjat që më bënë të distancohem, jo se i frikësohesha sëmundjes. Kam njohri në lidhje me sëmundjen dhe jeta që kam bërë më përpara ka qenë e shëndetshme, s’kam pas probleme shëndetësore dhe e dija që mund ta mposht. U mbylla ne apartamentin tim një natë dhe më pas shkova në apartamnt tjetër dhe më aty mora përgjigjen se isha pozitiv. U konsultova me kolegët e mi mjekë në Prishtinë, që më rekomanduan të shtrohesha në klinikë”, shtoi ai.

Mjeku tregoi se edhe vajza e tij 20 vjeçare, studente e mjekësisë gjithashtu u infektua dhe e mori vesh lajmin ndërsa ishte në punë.

“Vajza ka pasur simptoma të lehta dhe është studente e mjekësisë. Kur isha në klinikë aty mora lajmin se ishte pozitive. U shqetësova por e dija që mund ta përballojë duke iu përmbajtur rregullave. Duhet të ushqehet rregullisht, të fleje gjumë rregullisht dhe në aspektin psikologjik të jetë i fortë, vetëm në këtë mënyrë mund ta mundësh. Jemi konsultuar vazhdimisht, kemi matur parametrat jetësorë duke nisur nga temperaturat”, përfundoi Jetishi.