Kruja shndërrohet në vatër të infeksioneve, nuk ndalet përhapja e Covid-19

Në rrethin e Krujës kanë rezultuar pozitiv me koronavirus nga dalja e përgjigjeve për testët që janë bërë edhe 8 raste të reja. Kruja tashmë është shndërruar në një vatër të infeksioneve ku zyrtarisht deri më tani mban vendin e tretë për nga numri pas Tiranës dhe Shkodrës.

Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar dje 14 raste pozitive me COVID19, nga të cilat 7 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë dhe 2 raste në Shkodër. Deri në këto momente janë testuar 7758 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 750 raste. Mosha mesatare e rasteve të konfirmuara është 46.8 vjeç.

Mëngjesin e djeshëm ka ndërruar jetë një 52-vjeçar nga Kruja me iniciale S. B i cili ka qëndruar për 8 ditë në reanimacion i intubuar në spitalin infektiv. Shkon në 30 numri i qytetarëve që e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.

Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 431. Aktualisht në vendin tonë, 289 persona janë aktivë me COVID19 dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar. 3 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar.