KE shtyn sërish negociatat për Shqipërinë: Të plotësohen kushtet!

Komisioni Europian pritet t’u propozojë në qershor vendeve anëtare kornizën e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, dokument që i hap rrugën mbledhjes së konferencës së parë ndërqeveritare për të dy vendet.

Por ndërsa Shkupi mund t’i hapë kapitujt e parë brenda fundit të këtij viti, Tirana do të presë plotësimin e parakushteve të Gjermanisë dhe të Holandës, që lidhen me ecurinë e reformave dhe ngritjen e institucioneve të drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.

Zëdhënësja Ana Pisonero tha se, Komisioni Europian filloi punën për përgatitjen kornizave të bisedimeve që kur u mor vendimi pozitiv për të dy vendet e Ballkanit Perëndimor nga anëtarët e bllokut.

Korniza e bisedimeve është dokumenti që përmban parimet mbi të cilat duhet të zhvillohen negociatat mes dy palëve dhe pasi të jetë gati, duhet të marrë miratimin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Në skenarin më optimist, Komisioni pret që korniza e prezantuar në qershor të miratohet nga të gjitha vendet anëtare deri në fund të vitit.

Nga 1 korriku i këtij viti, Gjermania do të marrë kryesimin e presidencës së BE-së dhe paraprakisht dihet se do të ketë vëmendje të posaçme mbi Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e bllokut. Megjithatë hapja e kapitujve të parë për Shqipërinë do të varet nga vullneti i qeverisë në Tiranë.

Një tjetër garanci Ballkani Perëndimor pritet të marrë gjatë video-samitit të Zagrebit, ku sipas një projektrezolute që po qarkullon mes vendeve anëtare theksohet objektivi strategjik i anëtarësimit të plotë të rajonit në BE.

/Ora News/