Kandidatja për Ministre të Jashtme të Kosovës e propozuar nga Haradinaj

Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj njoftoi se partia e tij do t’i udhëheq katër ministri në Qeverinë e ardhshme, transmeton Telegrafi.

“Kemi zëvendëskryeministër Besnik Tahirin, Ministrinë e Punëve të Jashtme do ta udhëheq Meliza Haradinaj, Ministrinë e Drejtësisë do ta udhëheq Selim Selimi, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik do ta udhëheq Blerim Kuçi, dhe Ministrinë e Arsimit, Ramë Lika”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, LDK ka njoftuar se sot gjatë ditës do të finalizojë marrëveshjet me partitë politike.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë nënshkruar sot marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Nënshkrimin e kësaj marrëveshje e konfirmoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit që pati me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti.

Sipas kësaj marrëveshje AAK do të ketë postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe katër ministri, atë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës,Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në marrëveshjen të cilën e ka siguruar Telegrafi, objektivat themelore të koalicionit LDK-AAK janë luftimi i pandemisë COVID-19, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke, rimëkëmbja e ekomonisë pas pandemisë, forcimi i shtetit ligjor përmes luftës kundër krimit dhe korrupsionit, dhe forcimi i partneriteti me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më tej në marrëveshje theksohet se “LDK dhe AAK pajtohen për të qeverisur së bashku në nivelin qendror, në mandatin e legjislaturës së shtatë në një koalicion të drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re, Lista Serbe dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës”.

Sa i përket çështjes së numrit të zëvendësministrave këto dy subjekte janë pajtuar që numri i zëvendësministrave të shpërndahet konfrom fuqisë politike të partnerëve të koalicionit në shpërndarjen e ministrive.

Po ashtu LDK dhe AAK janë zotuar që në kabinetin qeveritar të caktojnë persona me kompetencë të lartë profesionale, pastërti të figurës, të mos kenë pasur dhe të mos kenë probleme me ligjin si dhe të kenë vullnet për punë ekipore.

Një tjetër pikë e kësaj marrëveshje për të cilën janë pajtuar LDK dhe AAK është çështja e ngritjes së mocionit të mosbesimit ndaj kësaj qeverie.