Italia vendos datën kur do të hapen kafenetë dhe restorantet

Kryeministri italian Guiseppe Conte, ka zbuluar planin për zbutjen graduale të masave kufizuese në vendin e tij, pas më shumë se shtatë javëve izolimi total në luftën kundër coronavirusit.

Conte tha se qytetarët pavarësisht zbutjes së masave, duhet të vazhdojnë të respektojnë distancën sociale, transmeton Telegrafi.

Nga 4 maji do të hapen parqet publike dhe hapësirat e gjelbëruara, kurse qytetarët do të mund të vizitojnë të afërmit e tyre që jetojnë në po të njëjtin rajon.

Kryetarët e komunave kanë të drejtë të vënë masa të veçanta kufizuese për qëndrim në parqe me qëllim që të shmangen turmat, për shembull të dihet numri i saktë i personave që guxojnë të qëndrojnë të njëjtën kohë në një hapësirë të caktuar.

E gjatë vizitave familjare, qytetarët obligohen të bartin maska, derisa organizimi i ahengjeve vazhdon të jetë i ndaluar.

Nga 4 maji do të lejohen edhe varrimet me 15 pjesëmarrës në ceremoninë mortore të cilët duhet të bartin maska. Bibliotekat, muzetë dhe galeritë do të hapen nga 18 maji.

Nëse nuk ka përkeqësim të situatës epidemiologjike, objektet e vogla afariste do të hapen më 18 maj, kurse restorantet, kafiteritë dhe sallonet e ondulimeve do të hapen më 1 qershor, ka shpjeguar Conte.

Fabrikat, punonjësit e ndërtimtarisë dhe depove që shesin mallra me shumicë, do të mund të vazhdojnë punën sapo të zbuten edhe më shumë masat e sigurisë.