Humb jetën një tjetër i infektuar me Covid 19, shkon në 26 numri i viktimave

Ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv në Tiranë një pacient nga Shkodra, i cili kishte rezultuar pozitiv me Covid-19, por nuk kishte shfaqur simptoma të sëmundjes.

Burime bëjnë me dije se pacienti ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme në Tiranë, ndërsa vuante nga tromboza.

Ai ishte sjellë drejt Tiranës për mjekim më të specializuar gjatë ditës së dielë, ndërkohë që sipas mjekëve vdekja nuk ka lidhje me Covid, pasi pacienti ishte asimptomatik.

Ky është rasti i pestë i vdekjes së pacientëve me koronavirus në Shkodër, por që sipas ministrisë kanë qenë asiptomatik, dhe vdekja është shkaktuar nga sëmundje të tjera nga të cilat ata vuanin, dhe për këtë shkak nuk klasifikohen si viktima të Covid-19.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 ka shkuar në 26.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi ditën e sotme se betejën me Covid-19 e ka humbur një 90-vjeçar nga Fieri, që ndodhej i shtruar në spitalin infektiv. I moshuari ndodhej prej 11 ditësh në intubim dhe vuante edhe nga diabeti, astma bronkiale dhe hipertensioni.

Por, nga familja e 90-vjeçarit nga vjen një lajm i mirë, pasi gruaja e tij, e cila rezultoi 2 javë më parë me Covid-19, është shëruar plotësisht. Mësohet se gruaja ndodhet në spitalin Infektiv, por nuk ka marrë ende lajmin se burri i saj nuk jeton më. Ajo do të dalë sot nga spitali.