Heqja e tarifave, Serbia “pushton” Kosovën me mallra

Nga 1 prilli me vendim të Qeverisë në detyrë, mallrat me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë liruar nga tarifa prej 100%. E tash kur kanë kaluar afër një muaj nga ky vendim, Serbia ka nisur ta “pushtojë” tregun Kosovës me mallra të ndryshme.

Kanë kaluar vetëm 27 ditë që kur Qeveria e Kosovës ka liruar nga tarifa prej 100% mallrat me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Këto ditë i kanë mjaftuar Serbisë që të mbush tregun e Kosovës me mallra.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se janë 1 mijë e 497 dërgesa që kanë hyrë nga Serbia në Kosovë që nga data 1 prill.

“Rreth 12 milionë euro ka eksportuar mallra Serbia në Kosovë, që nga fillimi i këtij muaji, kur edhe filloi së zbatuari masa e reciprocitetit e vendosur nga qeveria në detyrë”, kanë treguar në Doganë.

Në këtë institucion kanë treguar se Kosova në Serbia ka dërguar mallra në vlerë të rreth 800 mijë eurove.

“Nga Kosova në Serbi janë eksportuar mallra në vlerë rreth 800 mijë euro. Dominon industria ushqimore, si dhe ajo kimike në import, derisa në eksport janë disa produkte bimore dhe industri ndërtimore”.

Në fillim të muajit prill, Qeveria në detyrë e Kosovës e ka zëvendësuar taksën prej 100 për qind për produktet serbe, të vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018, duke futur gradualisht masat e reciprocitetit.

Me vendim të qeverisë së kaluar, asaj të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, marketet në Kosovë ishin urdhëruar që në raftet ku vendosen produktet e ekspozuara të vendoset edhe flamuri i origjinës së secilit produkt, në mënyrë që qytetarët të jenë të vetdijshëm se produktet e cilit shtet po i konsumojnë.

Por një vendim i tillë, tashmë duket se po nuk po zbatohet në marketet e vendit.

Nëpër raftet e qendrave tregtare janë duke u keqpërdorur më të madhe flamujt e shteteve të ndryshme.

Siç shihet në një fotografi, të cilën e ka postuar në profilin e tij aktivisti i shoqërisë civile, afër “Plazma”, i cili prodhohet në Serbi, është vendosur flamuri i shtetit turk

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i masave të reciprocitetit nga autoritetet e Republikës së Kosovës do të jetë gradual dhe si përgjigje proporcionale me sjelljen e autoriteteve të Serbisë.

Kurti ka thënë se vendimi obligon që në marrëdhëniet me Serbinë, emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellëse si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në​ përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.

“Vendimet e miratuara janë të obliguara t’i zbatojnë policia kufitare, dogana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe institucionet e tjera përgjegjëse”.

Gjatë një konference, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, kanë deklaruar se vendimi mbetet në fuqi deri më 15 qershor me ç’rast do të bëhet një vlerësim i gjithëmbarshëm i mbarëvajtjes së vendimit.

Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar vendimin për të zëvendësuar taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe me masa reciprociteti.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se Kosova “duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika janë në dëm të qytetarëve të Kosovës dhe janë duke e bllokuar ekonominë e Kosovës”.

Ndryshe, tarifën doganore 100 për qind e kishte vendosur Qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.

Që nga vendosja e taksës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.

Taksa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet.

Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi që nga ajo kohë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë.

Një masë reciprociteti ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar edhe në korrik të vitit 2011.

Kjo masë e reciprocitetit në atë kohë ishte marrë pasi që Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë në Kosovën në vitin 2008, kishte bllokuar mallrat nga Kosova për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.