Fundi i ëndrrës europiane? Kryeministri spanjoll: “Pandemia po rrezikon BE-në”

Spanja shënon një përmirësim të lehtë në pandeminë koronavirus krahasuar me një ditë më parë.

Më shumë se 600 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, sipas të dhënave që vijnë nga ministria e shëndetësisë, ndërsa në total bilanci I viktimave është mbi 15 mijë.

Ngadalësim shënoi dhe përhapja e Covid-19 në Spanjë. Që prej shpërthimit të pandemisë, në këtë shtet europian janë prekur më shumë se 150 mijë vetë, ndërsa 52 mijë janë shëruar, raporton A2.

Kryeministri, Pedro Sanchez mbështeti propozimin për të shtyrë gjendjen e emergjencës deri më 26 prill. Ai tha se masat në fuqi do të qëndrojnë, pasi shërbejnë për të kontrolluar pandeminë. Sanchez lëshoi dhe një apel ndaj Bashkimi Europian për të arritur një dakordësi për një kundërpërgjigje të përbashkët për krizën e shkaktuar nga koronavirusi.

“BE është në rrezik, nëse nuk do të ketë solidaritet”, u shpreh kryeministri spanjoll ndërsa kërkoi nga opozita dhe koalicioni I tij qeverisës që të diskutojnë një plan për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.

Më herët, gjatë një interviste për gazetën gjermane BILD, kryeministri italian, Giuseppe Conte tha se “koronavirusi mund të sjellë fundin e ëndrrës evropiane”.