FMN: Plakja nuk fillon më në moshën 65 vjeç, por mbi…

Njerëzimi nuk ka prosperuar kurrë më parë se shekullin e fundit në drejtim të jetëgjatësisë. Në vitin 1870, jetëgjatësia mesatare globale ishte rreth 30 vjet, në 2015 ishte 73 dhe po vijon e po rritet. Duke analizuar këto zhvillime Fondi Monetar Ndërkombëtar u bën thirrje qeverive në të gjithë globin, duke iu kujtuar se në epokën tonë mosha 65 vjeç nuk duhet konsideruar kufiri i pleqërisë.

Në studimin “Jetëgjatësia dhe jeta e mirë”, Fondi Monetar bën thirrje për integrimin në tregun e punës të njerëzve mbi 65 vjeç, jo vetëm nëpërmjet skemave të detyrueshme të pensioneve.

Këshillat e FMN vlejnë edhe Shqipërinë, pasi popullsia mbi 65 vjeç po rritet me shpejtësi teksa numri i lindjeve po bie me ritme të larta. Në vitin 2020 popullsia mbi 65 vjeç në vendin tonë ishte 14 % e totalit, ndërsa në vitin 2011 ishte rreth 12 për qind.

Shqipëria është ende një vend me popullsi të re në krahasim me anëtaret e BE-së. Por FMN lajmëron se, popullsia e Shqipërisë dhe vendeve e tjera në zhvillim do të plaket shumë shpejt.

FMN këshillon që vendet duhet të mbështesin 15-vjeçarët e sotshëm dh t’i përgatisin se në vitin 2070 ato do të jenë sërish të aftë për të punuar. “Plakja nuk fillon në moshën 65 vjeç, dhe qeveritë duhet ta kuptojnë këtë, duke vendosur politika për të ndihmuar të moshuarit, si në të ardhmen ashtu edhe sot” sugjeron FMN.

Sipas Fondit axhenda përfshin të gjitha aspektet e jetesës, por punësimi, arsimi dhe shëndetësia janë fushat qendrore të fokusit dhe ku qeveritë kanë një rol kryesor.

Me rëndësi të madhe është gjetja e mënyrave për të ndihmuar punonjësit e moshuar të mbeten produktivë.

Kjo axhendë duhet të mbulojë më shumë sesa moshën e daljes në pension. Midis vitit 2008 dhe 2018 njerëzit mbi 55 vjeç përbënin 79 për qind të rritjes së punësimit në të gjithë vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe 103 për qind në vendet G7.

Në vendet në zhvillim dhe në Shqipëri gjithashtu ka një rritje të forcës së punës mbi 50 vjeç.