Epidemiologu suedez: Karantinimi nuk është i bazuar në fakte shkencore

Në Suedi deri më sot janë regjistruar 14.500 persona të infektuar me COVID-19, dhe të paktën 1.570 tjerë që kanë humbur jetën.

Në këtë vend janë të ndaluara tubimet publike me mbi 50 persona, vizitat në spital dhe në shtëpitë e pleqve, kurse mësimi në shkolla dhe fakultete është duke vazhduar në sistemin online. E shumë të punësuar po punojnë nga shtëpitë, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, Suedia është ndoshta shteti i vetëm në Evropë në të cilin mund ta frekuentosh një kafiteri apo restorant që janë të hapura, mos të përmendim marketet dhe qendrat tregtare që funksionojnë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Ekipet e inspektorëve gjatë vikendit të kaluar kanë kontrolluar nëpër Stokholm, restorantet dhe kafiteritë për të parë nëse po respektohet distanca e kërkuar mes mysafirëve, ku afro 20 prej tyre kanë marrë vërejtje nga autoritetet komunale, mirëpo asnjë ende nuk është mbyllur.

Ish-epidemiologu kryesor i Suedisë, Johan Gjesek, konsideron se mbyllja e qytetarëve nëpër shtëpitë e tyre është një ide shumë e keqe.

“Karantinimi dhe mbyllja e shteteve evropiane nuk janë masa të mbështetura në fakte shkencore. Mendoj se politika e duhur do të ishte mbrojtja e të moshuarve dhe personave që vuajnë nga sëmundjet tjera kronike, derisa tjerët do të duhej ta kishin parasysh se COVID-19 është një sëmundje e lehtë e ngjashme me një grip”, ka shtuar profesori në Universitetin Karolinska në Stokholm.

“Historia e ka dëshmuar se pastrimi i duarve dhe distanca sociale janë metodat më të mira në luftën e çfarëdo sëmundje. Sapo të kryhen testet masive të antitrupave, besoj se do të tregojnë se gjysma e popullatës në Suedi tashmë e kanë kaluar sëmundjen e COVID-19, dhe se përqindja e vdekjeve do të jetë rreth 0,1 për qind”, tha ai për fund.