E tmerrshme! Infermierët kërkojnë testim për Covid-19, tamponët shpërndahem me “mik”

Në pavionin e Pediatrisë në QSUT, një nga kryeinfermieret me inicialet M.M rezultoi pozitiv me COVID-19 dhe dyshohet se infektimin nuk e ka marrë në përditshmërinë e punës, por nga bashkëshorti i saj që kishte marrë pjesë në një varrim.

Gjendja e saj shëndetësore për momentin është e stabilizuar dhe nuk ka pasur nevojë për hospitalizim, por kontaktet e shumta me personelin e pavionit ku punon ka nxitur ankth dhe pasiguri. Ditën e sotme shumë infermierë dhe mjekë kanë kërkuar që tu bëhet tamponi për të vërtetuar nëse janë ose jo të prekur, por kjo nuk është pranuar.

Nga ISHP (Instituti i Shëndetit Publik) u janë marrë kampionë vetëm tre personave që shërbejnë në repartin ku punonte kryeinfermierja e prekur, edhe ato më shumë ndërhyrje dhe njohje, ndërsa pjesës tjetër i është komunikuar që të vetëkarantinohen. Në kushte të tilla, personeli i repartit ku u zbulua një vatër infektimi ka nisur ankesa në strukturat drejtuese të QSUT-së, prej tyre ka ardhur përgjigjia e thatë dhe pa zgjidhje: “Nuk merremi ne me tamponet dhe analizat, komunikoni me qendrën Kombëtare të Urgjencës dhe Institutin e Shëndetit Publik”.

Pavioni ku shërbente kryeinfermierja e prekur është me rrezik të lartë, pasi ka kontakte jo vetëm me personelin shëndetësor, por edhe më pacientët fëmijë dhe të afërm të tyre. Nëse nuk kryhen analiza edhe për pjesën tjetër të stafit aktual, atëherë rreziku i përhapjes së koronavirusit është mjaft i lartë.

Boldnews.al ka të dhëna specifike si për identitetin e plotë të kryeinfermieres së prekur ashtu edhe për pavionin e Peditrisë ku kryente shërbimin, por për arsye etike nuk mund të behen publike. Fakt është që u është refuzuar testimi i plotë në të gjithë pavionin dhe “fatin e madh” të kryerjes së analizave e kanë pasur vetëm tre persona, që u është dashur ndërhyrje e madhe dhe “miq” të fortë për ta “fituar këtë të drejtë”.

Kjo është një shkelje e rëndë dhe tentativë për të fshehur të vërtetën e cila do të sjellë pasoja në vijim. Në protokollin shëndetësor, është e sanksionuar se çdo individ me kontakt të afërt me një pacient të konfirmuar me COVID-19, duhet tu kryhet testimi, në mënyrë që të ndërpritet zinxhiri i përhapjes së sëmundjes, por kjo nuk ka ndodhur.

Burime kondidenciale shprehen se politika e testimeve mjaft të ulëta nuk lidhet vetëm me mungesën e tamponëve dhe kiteve që nevojiten për të kryer analizat e koronavirusit, por është sugjerim i qeverisë që të kryhen sa më pak testime për të mos dalë numri i vërtetë i të prekurve, pasi kanë frikën e kolapsit në sistemin shëndetësor, për shkak të dyndjeve të pacientëve drejt spitalit.

Kjo “strategji alla Rama” nuk mund të vazhdojë shumë gjatë, pasi sëmundja nuk mund të fshihet duke mos kryer testime, por duhej bërë e kundërta: Testime masive dhe izolim të rasteve të konfirmuara”-ashtu sikurse është edhe sugjerimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Pikërisht testimi me “pikatore” ka sjellë edhe një përhapje të frikshme në zonën e Krujës në katër ditët e fundit, duke e çuar në 65 numrin e të prekurve. Qeveria urdhëroi hapjen e fasonerisë, por pa vendosur kritere të forta si distancim të punonjësve dhe mbajtjen e detyruar të maskave gjatë punës dhe më pas edhe trasportit të punonjësve. Pikërisht nga fasoneria mendohet të jenë infektimet e para dhe më pas janë përhapur edhe në familjet e të prekurve, por edhe të qytetarëve që kanë pasur kontakt, qoftë edhe në atë fashën e orarit qeveritar. /Boldnews.al