Duhet optimizëm dhe shpresë e jo frikë e psikozë terrori e lufte!

MONITOR
Larg shprehjeve në publik me mesazhe depresive të lidhura me luftën, videove me terror apo me zoom në gjak e në viktima, sepse ajo për të cilën kemi nevojë të gjithë është optimizëm, se të gjithë bashkë do ta kalojmë këtë situatë sa më shpejt e me sa më pak kosto.

“Paga minimale e luftës”, “pagesa e papunësisë së luftës”, “jemi në luftë”, “armiku na ka goditur” e “ne kemi kundërsulmuar”, video “tmerri” nga vende të ndryshme. Fjala luftë e krijimi i “klimës së luftës e të terrorit” që e shoqëron, është jo vetëm e përditshme dhe përmendet shumë herë në fjalorin e Kryeministrit të vendit, në daljet e panumërta në media sociale apo ato konvencionale, por ka filluar tashmë të përdoret si normale edhe nga institucionet shtetërore në deklaratat e tyre zyrtare.

Nuk ka asnjë dyshim që jemi në një periudhë shumë të vështirë e absolutisht të pazakontë, ku pandemia e një virusi të panjohur, ka detyruar edhe shtetet e mëdha e të zhvilluara, që kanë potenciale reaguese shumë më të mëdha, sesa ne, të marrin një linjë “tërheqje e mbrojtje” dhe aspak “neglizhente” ndaj saj. Është provuar tashmë, se në mungesë të vaksinës, distancimi “fizik” dhe pezullimi i shumë aktiviteteve ekonomike apo sociale që e lehtësojnë këtë, ishte zgjidhja e vetme për të lehtësuar detyrën e sistemit shëndetësor të secilit vend, për të ndihmuar pacientët që do të kenë nevojë për asistencë mjekësore, në mënyrë që kjo krizë të kalohet me sa më pak humbje në jetë.

Të gjithë e kanë pranuar këtë përqasje, të gjithë janë ndërgjegjësuar dhe e kanë adoptuar këtë në jetën e tyre të përditshme. Por edhe nëse jo, mesazhi do të kalonte edhe në një gjuhë tjetër nga ajo e tmerrit, apo terrorit që ngjall ky fjalor lufte.

Kjo është një situatë aspak e zakontë dhe sigurisht e dhimbshme në çfarëdo këndvështrimi, por njerëzimi ka zgjedhur ta kalojë, në një mënyrë që të minimizojë kostot e humbjeve në jetë, por jo se ka problematika ekzistenciale prej saj. Bota nuk ka kaluar asnjë luftë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Të gjitha burimet janë të gjitha aty, të paprekura, thjesht nuk po përdoren për momentin, për hir të një të mire më të madhe, që është jeta. Në momentin që zinxhiri i përhapjes së epidemisë arrin të shkëputet (shpresojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt), gjithçka do të fillojë me shpejtësi aty ku e lamë, ndoshta dhe më me vrull, për të rikuperuar kohën e humbur.

Ekonomitë në gjithë globin pa diskutim që do të përballen me pasojat e kësaj zgjedhjeje, që nga frenimi i konsumit të brendshëm deri te kostot e ndërprerjes së zinxhirit të tregtisë, shërbimeve, shkëmbimeve apo investimeve ndërkufitare, që ishin të natyrshme në një botë gjithnjë e më të globalizuar pre-CoVid-19. Rënia ekonomike do të jetë e pashmangshme, disa shtete do ta vuajnë më shumë e disa më pak, në varësi të veçorive të tregut lokal të secilit vend, të shkallës së hapjes që ai do të mund të garantojë në momentin e “rihapjes” të kësaj në aspektin shëndetësor, të aftësisë së ekonomisë lokale të tregut, për t’u përshtatur me një botë post-Covid-19, por edhe në varësi të qasjes së Qeverive ndaj tregut lokal, në përballimin e situatës gjatë kalimit të pandemisë apo pas saj.

Në botën perëndimore, Qeveritë kanë tentuar masivisht që të mos krijohen efekte shkatërruese ndaj strukturës së ekonomisë së tregut, por një “ngrirje” e saj, për të lehtësuar rifillimin e shpejtë, në momentin që kjo do të gjykohet e nevojshme. Këtë synon orientimi i asistencës së drejtuar ndaj individit, duke përfshirë edhe subjektet ku ai ka pasur marrëdhënien e tij të punës, në mënyrë që ajo të mos ndërpritet e rifillimi të mos vonohet për arsye të rindërtimit të një marrëdhënieje të prishur për pamundësi të vijimit të saj nga kompanitë gjatë ndalimit të detyruar. (p.sh. Casa integrazione në rastin e Italisë, apo Kurzarbeit në rastin e Gjermanisë, Austrisë, apo Zvicrës).

Rimëkëmbja natyrisht që nuk do të jetë e thjeshtë, nuk do të ndodhë sot për nesër, do të kërkojë kohë. Por, bota e ka treguar që gjithnjë arrin të marrë veten edhe nga periudha depresive e madje, edhe shkatërruese. Arriti të kalojë Depresionin e viteve ‘20 e atyre ‘30. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945, e gjithë bota hyri në një fazë të re zhvillimi e marrëdhëniesh njerëzore e midis shteteve. Në vitet ‘70-‘80 u kaluan krizat e naftës e të energjisë.

Recesioni i fillimit të viteve 1980 u rikuperua me shpejtësi. Po ashtu, edhe flluska e dot.com në fillim të viteve ’90. Për të ardhur te një nga krizat më të mëdha financiare të 2008-s, që ndonëse fshiu shumë nga kursimet globale, sërish tregjet arritën rimëkëmbjen me ndihmën e një cikli ndërhyrjesh të jashtëzakonshme të Bankave Qendrore e të Qeverive të kohës. Kemi rastin e fqinjit Greqi, që rrezikoi daljen nga euro, por vitet e fundit arriti të përmirësojë ndjeshëm parametrat e saj.

E përbashkëta e të gjithë këtyre krizave, është se pavarësisht se cila ka qenë më e rënda apo cilat kanë qenë efektet e veçanta të secilës prej tyre, apo shtrirja e saj, Bota ia ka dalë që ta kapërcejë e të krijojë një mjedis më të mirë më pas!

Ky është një motiv i madh për optimizëm, që mendojmë se duhet të mbizotërojë ndaj pesimizmit të momentit!

Në situata të vështira, krijimi i besimit te publiku është një faktor mjaft i rëndësishëm për rimëkëmbjen e pritshme. E fjalori i liderëve që kanë përgjegjësinë e drejtimit në një moment të tillë është diçka që sigurisht ndikon për mirë a për keq në krijimin e këtij faktori. Në vitin 2012, kur Europa rrezikoi të shpërbëhej nga kriza e euros, mjaftoi një fjalë e kreut të atëhershëm të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, që “do të bëjmë çfarëdo të jetë nevojshme” për të shëruar ekonominë europiane.

Për të krijuar një kontrast me gjuhën e “luftës”, në dokumentet zyrtare të këtyre ditëve nga liderë apo institucione shtetërore, në referencë me Shqipërinë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se “ajo ka një rezistencë të lartë ndaj goditjeve në tregun e pakicës dhe të moderuar ndaj goditjeve në tregun e punës. Në goditjet e jashtme, Shqipëria ka rezistencë ndaj çmimeve të produkteve, zinxhirit global të vlerës dhe remitancave, por është e brishtë ndaj turizmit, të ardhurat e të cilit përbëjnë më shumë se 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”.

Pra do të ishte shumë e rëndësishme që gjuha e përdorur nga liderët apo nga institucionet e vendit, ndërsa vëmendja e 100% të audiencës është ndaj mesazheve të tyre, të jetë ajo e diskutimit konstruktiv se si do të arrijmë të rifillojmë jetën post-pandemi, kur të vijë ky moment. Kjo do të ngjallte jo vetëm shpresën për të nesërmen, por edhe do të rriste vendosmërinë për të zbatuar kufizimet e nevojshme për arritjen e këtij objektivi.

Ndaj, larg shprehjeve në publik me mesazhe depresive të lidhura me luftën, videove me terror apo me zoom në gjak e në viktima, sepse ajo për të cilën kemi nevojë të gjithë është optimizëm, se të gjithë bashkë do ta kalojmë këtë situatë sa më shpejt e me sa më pak kosto.

Në këtë moment fatkeq të historisë së Botës e të vendit tonë, Liderët dhe Institucionet tona, nuk transmetojnë ndonjë mesazh pozitiv kur shfaqen të friguar nga ajo që kanë përpara, por duke dëshmuar vendosmëri dhe besim për të çuar përtej së keqes, “grigjën” që kanë përgjegjësi të udhëheqin!

Mesazhi:
Në këtë moment fatkeq të historisë së Botës e të vendit tonë, Liderët dhe Institucionet tona, nuk transmetojnë ndonjë mesazh pozitiv kur shfaqen të friguar nga ajo që kanë përpara, por duke dëshmuar vendosmëri dhe besim për të çuar përtej së keqes, “grigjën” që kanë përgjegjësi të udhëheqin!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here