“Duam bukë, askush s’ka ardhur për të na parë nëse jemi gjallë apo kemi vdekur”

Dhjetëra banorë të komunitetit rom që banojnë në zonën e Nishtullës, janë ndër shtresat më të varfra në Durrës dhe që nuk kanë asnjë mundësi mbijetese gjatë ditëve që duhet të rrinë në izolim për shkak të pandemisë së Covid-19.

Masat e marra për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ua kanë vështirësuar jetesën akoma dhe më shumë këtyre familjeve, të cilat, të vetmen mundësi për të blerë ushqime kishin mbledhjen e materialeve të riciklueshme nga koshat e mbeturinave, por tani në kushtet e karantinimit nuk lejohen.

Ata kanë vetëm një kërkesë bazike: të ushqehen e të mbajnë frymën gjallë!

Dritan Zeqiraj, anëtar i shoqatës së romëve, i cili banon dhe vetë në Nishtulla, përmes “DurrësLajm” iu bën thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi, të kontribuojnë për këta nevojtarë, dukë kërkuar së pari ndihmë nga shteti dhe cilido person që ka mundësi financiare.

“Në zonën e Nishtullës ka mbi 50 familje rome që janë në gjendje shumë të vështirë, por 20 prej tyre janë në kushte ekstreme. Asnjë nuk i përkrah. Kërkojnë ndihmë nga shteti ose ndonjë sipërmarrës. Kush mundet të kontribuojë e të na kontaktojë”, thotë Zeqiraj.

“DurrësLajm” përcjell zërin dhe kërkesat jetike të disa prej këtyrë banorëve, që jetojnë në kushte tejet të vështira, të sëmurë, dhe pa asnjë mundësi për të blerë produktet bazë të dezinfektimit, duke u kthyer kështu në një rrezik të mundshëm për marrjen e virusit.

“Kërkojmë ushqime për fëmijët. Nuk na ka ardhur asnjë njeri për të na pyetur se çfarë do të hamë. Na kanë thënë të rrimë në shtëpi dhe në shtëpi po rrimë. Por ne a jemi njerëz? Me çfarë do ushqehemi meqë po rrimë në shtëpi”, thotë një banore e shqetësuar.

Një tjetër banore e zonës, pa asnjë të ardhur në shtëpi, thotë që po mban frymën gjallë me bukën që i sjellin falas çdo ditë në shtëpi grupi i biznesmenëve që ka ndërmarrë një nismë humanitare, pasi edhe ato pak rezerva që kishte në shtëpi, i ka shpenzuar për të blerë disa ushqime.

“Jam e sëmurë me valva të bllokuara, ju kërkoj ndihmë për buke e ilaçe. Askush nuk ka ardhur për të parë a jemi gjallë apo kemi vdekur… apo sepse jemi romë?! Dhe ne njerëz jemi, prej gjaku”, thotë një banore.

Artor Zeqiraj, një banor invalid, që jeton me 6 fëmijë jetim, thotë që nuk merr asnjë përkrahje nga shteti dhe kushtet në të cilat ai jeton janë katastrofike, teksa bën thirrje për ndihmë.

Prej dy javësh, në Nishtulla dhe në disa zona të tjera të qytetit të Durrësit ku jetojnë shtresat më vulnerabël të shoqërisë, janë shpërndarë 200-300 bukë në ditë, në sajë të kontributit të një grupi biznesmenësh durrsakë.

Por në këto kohë të vështira që po jetojmë, teksa solidariteti mes njerëzve shtohet edhe më shumë, kush ka mundësi të kontribuojë për këto familje në nevojë, mund të komunikojë me Dritan Zeqirajn, i cili ka lënë numrin e tij të kontaktit për t’u bërë ura lidhëse me familjet në fjalë (nr. 068 368 1570).

Ndërkaq, burime nga Prefektura e Durrësit kanë bërë të ditur se 1000 pako me ndihma ushqimore nga Rezervat e Shtetit janë shpërndarë gjatë këtyre javëve në bashkinë e Durrësit për t’iu ardhur në ndihmë personave më vulnerabël ndaj krizës së koronavirusit në zona të ndyrshme, ku më së shumti janë dorëzuar në Ishëm, Manzë, Rrashbull dhe Sukth. Prefekti i qarkut Durrës, Roland Nasto, bëri të ditur se do të vazhdohet me dhënien e ndihmave dhe në njësi të tjera administrative.
Marrë nga Durrës lajm