Ditari i Korona-virusit/ Çfarë është më keq se pandemia?

Nga Ilir NIKOLLA

Pas leksioneve mbi kurbën e koronavirusit, kur arrihet kulmi dhe kur fillon rënia e funksionit matematikor, shqiptarët nisin e harrojnë shpejt dhe kthehen e fërkojnë duart për kthimin në normalitet. Po bash në fillim të rënies së kurbës së pandemisë, është rasti të mendohemi edhe ne – siç po bën gjithë bota këto ditë – se ç’vjen pas pandemisë, a në rastin tonë, ç’është më keq se pandemia. Në Itali kanë nisur të mësojnë përmendësh jo veç procedurat e fazës së dytë të pandemisë, të cilën e quajnë “bashkëjetesë me virusin”, por edhe rekomandimet se si duhet dalë nga kriza e re ku ra vendi, si duhet rimëkëmbur industria, si duhet skeduluar borxhi i lartë publik e ç’është më kryesorja, si duhet mbrojtur sovraniteti i vendit, pra, karakteri italian i firmave në sektorët strategjikë.

Për tipizimin “Amerika e para” të Donald Trump-it s’ka pse të flasim, pasi ky refren është një konstante e qeverisjes së tij dhe është dhjetëfishuar si karakteristikë në këto javë kur pandemia ka shpërthyer egër në Nju Jork e gjetkë. Në Britani, dalja nga kriza është përzier edhe me përdëllimin kombëtar për shëndetin e kryeministrit Xhonson, ndërkohë që Franca e Gjermania po e përballojnë post-krizën me karakteristikat kryesore të kombeve, forcimin e ligjërimit etatist.

Në Shqipëri jemi ende në fazën e propagandës “s’e kemi bërë ende bilancin, prandaj s’dimë sa të vdekur kemi, jo më se ç’duhet të bëjmë më tej”. Kjo është buka e përditshme e ekraneve. Nganjëherë, pas kësaj gjelle bajate e kur opozita guxon dhe e forcon ligjërimin me ndonjë alternativë, qeveria e ndjek nga pas si ai qeni bishtin e vet, duke e zbatuar rekomandimin e saj, por edhe duke e shoqëruar me qesëndisjen “ne e dinim vetë atë punë, por po vonoheshim që të shihnim nëse edhe opozita do ta kuptonte dobinë e lëvizjes tonë”.

Në këtë fazë, karantina mund të shtyhet me ushtrime krijuese të tipit “çfarë ka më keq se pandemia?”. Në Shqipëri janë disi më të avantazhuar sesa të tjerët në Perëndim kur i nënshtrohen këtij ushtrimi, pasi që të gjithë kanë përvojat e tyre personale, të përmbledhura në thënien “ishim më mirë kur ishim keq”. Më keq se pandemia në Shqipëri është kthimi në normalitet. Kthimi në normalitet është rikthim në “status-quo”-në ku ekonomia ecën mbrapsht, ku buxheti është thes privat që ekzekutivi e darovit për një oborr njerëzish, ku industria ka vdekur, ku prodhimi vendas s’di të rimëkëmbet e ku mbi këtë rrënojë, që aktualisht fshihet pas resë së pandemisë dhe gjendjes së jashtëzakonshme, qeveris një regjim që s’e njeh rotacionin dhe lufton për likuidimin e opozitës reale.

Tek ne kthimi në normalitet është një realitet më i frikshëm sesa pandemia, pasi për pandeminë ngushëllohemi se jemi me shokë, se ndajmë një fatkeqësi. Bilanci ynë mund të barabitet me bilancet e të tjerëve e kështu çmimi të kapërdihet më lehtë, si njëfarë ndëshkimi kolektiv me karakter biblik. Por pasi “barka e Noes” të dalë matanë, e kuptojmë të parët se kemi humbur demokracinë, se s’kemi ngritur ekonominë e se po na humbet shpresa. Është një situatë tipike që prodhon shprehjen fatale “ishim më mirë kur ishim keq”.

Prandaj, sa pa na i rihedhur zehiret qeveria me propagandën e vet që kapërcen kriza, çan bllokada e ndihmon edhe kapitalistët në nevojë, është rasti që kthjellimin që shoqërive moderne po u vjen prej pandemisë, ta shfrytëzojnë për të mos përsëritur gabimet, kur t’u riparaqitet i njëjti hall, sapo të kthehemi në normalitet. Pa ardhur kjo ditë, duhet ta kuptojmë sot – dhe jo nesër – se si i do mushka drutë.

POST SCRIPTUM: Gojët e liga thonë se Papa Françesku e paska vendosur, nuk do të shkojë për vizitë në Bergamo apo në ndonjë zonë të prekur të Italisë, por bash në Wuhan të Kinës, si një mesazh mbështetës për luftën e Kinës ndaj virusit. E të mendosh, se njerëzit i thonë rëndom koronavirusit “virusi kinez”.