Covid-19 si shans i Edi Ramës për të shijuar ndjenjën e prestigjit!

Enver Bytyçi

Pasi nxori ushtrinë në rrugë! Pasi hartoi urdhëra personalë! Pa bërë asnjë konsultë qoftë dhe me personin që ka ngarkuar për krizën e pandemisë! Njësoj siç u soll me dramën që shkaktoi tërmeti, kryeministri i vendit tim, Edi Rama, ka vendosur të shfrytëzojë kushtet që ia krijon kriza botërore për të realizuar ëndërrën e tij të sundimit despotik në Shqipëri.

Ai ka njoftuar një paketë ligjore me masa drakoniane për shkeljet që dikush mund t’ia bëjë urdhërave të tij. Psh “burg deri 15 vjet për atë që shkel karantinën”?! E motivon këtë me “luftën” dhe i duket vetja si komisari i ushtrisë partizane! Ai është i vetmi politikan në botë që betejën me koronavitusin e quan luftë! “Paga e luftës”, përshembull! Kjo do të thotë: “Nëse nuk të kap Covid-19, do të kapë ligji despotik i Edi Ramës”! Ndërkohë që ky projekt-ligj do të kalojë në kuvend në kushtet e gjendjes së jashtëzkonshme. Pra, pa debat parlamentar e të shoqërisë civile, pa u shprehur zëri i qytetarëve, thjesht sipas vullnetit të një njeriu, i cili vetëdeklarohet si “babi i kombit” ose “Zoti i madh i shqiptarëve”! Faraonët e Egjiptit të lashtë i kishin dedikuar vetes të tilla lavde madhështie!

Max Weber ka shkruar se “Kush merret me politike synon pushtetin, pushtet i cili përdoret për t’u shërbyer të tjerëve, qytetarëve, ose një pushtet për të realizuar një vullnet personal dhe për të shijuar ndjenjën e prestigjit”. (Max Ëeber: Ëelt der Politik I, 5. Auflage, Frankfurt am Main-Berlin-Muenchen, 1972, S. 3). Edi Rama na i paraqet masat dhe ndëshkimet e tij për qytetarët si modelin e qeverisjes së tij, pra si vullnet personal të tij për të shijuar ndjenjën e prestigjit. Madje u hakërrehet atyre në stilin “Nëse nuk do të isha unë ti do të kishe zënë një vend tek të shumtit”! Dhe ë pas lëshon recetën e tij të qeverisjes “Burg! Burg! Burg!” Ai, asnjë ditë nuk e dëshmoi veten si politikan i cili pushtetin e tij e përdor në shërbim të qytetarëve.

Atij i duket se i ka ardhur dita që ta realizojë premtimin që u bëri shqiptarëve në vitet 2014-2015 për t’i ndëshkuar me burg për çdo kundravajtje të tyre! Tani me një dënim shumë të rëndë! Burg, burg për 15 vjet! Sikur ta kishte nxjerrë këtë ligj për të ndaluarit me arrest shtëpie, si në rastin e Sajmir Tahirit, do të dukej se kryeministri ynë po luftonte krimin dhe kriminelët. Por jo! Ata, edhe kur janë të dënuar me burg të përjetshëm si serial killer, me kujdesin e veçantë të kryeministrit lënë çelitë e burgut dhe shkojnë ‘të edukohen” pranë kryebashkiakëve socialistë miq të Edi Ramës. D.m.th bëhen pjëstarë të tryezave të bollshme në restorantet lluksoze me këta kryebashkiakë.

Vendimi i Edi Ramës për të burgosur qytetarët që nuk ia zbatojnë atij urdhërat është në fakt hakmarrje egoiste e tij. I ngujuar në Surrel, Edi Ramës të gjithë urdhërthyesit i duken kundërshtarë. Dhe për kundërshtarët udhëheqësit despotë kanë vetëm një ndëshkim, gijotinën e burgut. Kësisoj shteti ynë merr plotësisht formën e një shteti policor. Do të jetë policia ajo që do të regjistrojë “shkeljen e ligjit”, kuptohet sipas kritereve të kryeministrit, duke i ndarë shkelësit në kategorinë e përkatësisë gjeografike dhe asaj politike. “Tanët”, pra ata që shërbejnë për mbushjen e kutive të votimit për rilindjen, nuk do konsiderohen shkelës. Të tjerët, kundërshtarët politikë dhe ardhacakët “e pa gdhenur”, do të bëhen kurbanët e këtij ligji policor.

Miratimi i ligjit është e do të jetë thjesht një akt, me të cilin gjithashtu prokuroria, SPAK-u, gjykatat do të shndërrohen edhe më tej në vegla të shërbimeve ndaj shtetit policor. Eshtë i njohur fakti se liderët autoritarë shndërrohen në diktatorë të këtij tipi. Ata shfrytëzojnë çdo mundësi që ua sjellin rrethanat e kohës me qëllim realizimin e synimit përfunditar. Ndaj dhe kjo kategori i përket rracës së politikanëve që vinë në “pushtet për të realizuar një vullnet personal dhe për të shijuar ndjenjën e prestigjit” siç shprehet Max Weber.

Por Talleyrand, duke perifrazuar shëmtinë e diktaturave dhe arrogancës së pushtetit, shkruan se “Me bajonetë mund të bësh gjithçka, ama vetëm një gjë nuk e bën dot, nuk mund të ulesh mbi të”! (Reinhard Kuhn: Grundfragen der Politik: Macht Grundelement der Politik, in Ëelt der Politik I, Frankfurt am Mein-Berlin-Muenchen, 1967, 1971, faqe 4).

Bajonetat që Edi Rama i përgatit për të mposhtur shqiptarët e pabindur do t’i kthehen në bumerang!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here