Covid-19/ Presidenti: Apeloj që të rritet transparenca nga qeveria! Institucionet e Drejtësisë të reagojnë ndaj denoncimeve

Presidenti i vendit, Ilir Meta në një deklaratë për mediat, ka kërkuar rritjen e transparencës nga ana e qeverisë, që t’u japin fund edhe spekulimeve.

I pyetur nga gazetarët se çfarë note do ti vinte kryeministrit Edi Rama, Meta tha se nuk ka ardhur ende Qershori për vendosjen e notave, duke e kaluar këtë pyetje paksa me ironi dhe mos dhënë një përgjigje direkte.

“Lidhur me shqetësimet që ka ngritur  opozita, këto ndryshime në Kodin Penal do të shërbejnë në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve, dhe patjetër që e gjitha kjo duhet të shoqërohet me rritjen e transparencës. Unë dua të apeloj që të rritet transparenca nga qeveria, dhe të mos lihet vend për asnjë spekulim. Nuk ka ardhur akoma kohë e provimeve, që të vëmë notat në Qershor”, tha Meta.

Ndërkohë që i pyetur për vendimin e qeverisë shqiptare për t’u tërhequr përkohësisht ngë Konventa Europiane e të drejtave të Njeriut, Meta tha se është e parashikuar që në raste të jashtëzakonshme që kjo të ndodhe, por qeveritë nuk duhet të abuzojnë. Duket se ndryshime në Kodin Penal, kanë bërë që presidenti të jetë i detyruar të pranojë edhe këtë vendim të qeverisë Rama, që haptazi cënon lirinë e qytetarëve shqiptarë.

Presidenti Ilir Meta inkurajoi organet e drejjtësisë që të veprojnë për denoncimet që janë bërë nga opozita lidhur me ato që konsiderohen si tendera sekrete dhe korruptivë.

Meta tha se, i takon institucioneve të drejtësisë që të flasin dhe të reagojnë kundrejt denoncimeve, akuzave apo deklaratave të tilla.

Lidhur me fasoneritë, Presidenti tha se është me mjaft rëndësi të respektohen kudo distancat sociale dhe të ketë standarde të detyrueshme për çdo aktivitet, pasi nënvlerësimet do të sjellin kosto të jashtëzakonshme.

“Duhet përqëndrim më i madh në këtë drejtim për të parandaluar shpërthimin e vatrave të reja”, tha Meta. Sipas tij, nëse nuk garantohen kushtet, atëherë sipërmarrje të tilla duhet të mbyllen dhe duhet të subvenciohen nga Qeveria.

Përsa i takon tërheqjes së përkohshme të Shqipërisë nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, Meta tha se kjo është një praktikë e njohur, por vuri theksin në këshillat që vijnë nga Komisioni i Venecias dhe Këshilli i Europës.

“Unë e kam vënë theksin te transparenca, duhet sa më shumë transparencë”, tha Meta.