Covid-19/ Policia bën namin për të mbushur arkën, 400 gjoba dhe disa të arrestuar në një ditë

Policia duket se e ka harruar detyrën dhe misionin e saj në këto ditë të pandemisë. Në vend që t’I vijë në ndihmë qytetarëve ashtu siç ndodh në vendet e tjera të mbarë botës, rend për të vënë gjoba dhe për të arrestuar qytetarë e biznesmenë.

Vetëm në një ditë policia me urdhër të “babait të Kombit” ka vënë 400 gjoba dhe e gjithë kjo bëhet për të mbushur arkën e shtetit.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 49 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Ndërkohë, në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, konkretisht: shtetasi L. R., 31 vjeç, banues në Tiranë, sepse është konstatuar gjatë pasdites së djeshme, duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi dhe nën ndikimin e alkoolit; shtetasi M. Ç., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin motor, pa lejen përkatëse të drejtimit. Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 397 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Ndërkohë, në Durrës është proceduar penalisht shtetasi K. M., 47 vjeç, pasi është konstatuar duke lëvizur gjatë orarit të karantinës dhe ka tentuar të vjedhë në një lokal.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 2 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Në Berat është gjobitur me masë administrative 700.000 lekë, shtetasi S. R., 35 vjeç, i cili ishte kthyer para 10 ditësh nga Greqia dhe i ishte komunikuar që të vetëkarantinohej, por është konstatuar jashtë ambienteve të banesës.

Në të gjithë vendin është konstatuar 1 lokal i hapur dhe ndaj administratorit është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.