Covid-19/ Ademi: Policia nuk ka kontaktuar ata që kanë ardhur nga jashtë, i kam verifikuar vetë

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ka hedhur kritika kundër Policisë së Shtetit, pasi nuk janë kontaktuar qytetarët e kthyer nga jashtë shtetit që të udhëzoheshin që të qëndronin të izoluar për 14 ditë në banesë.

Ademi tha se, Shkodra është një ndër qytetet më të prekura nga COVID-19, pasi sipas saj kontrolli nuk është vërë si duhet. Ajo u shpreh se kishte telefonuar vetë qytetarët e kthyer nga jashtë shtetit, dhe vetëm njëri prej tyre ishte kontaktuar nga autoritetet shtetërore.

“Qarku i Shkodrës ka një numër të konsiderueshëm të popullsisë. Kemi 3 dogana, dhe ka numër të madh të lëvizjes. Mendoj se edhe kjo ka qenë e mjaftueshme për të vënë një alarm që unë kam nja 4 javë që e kam bërë menjëherë pas disa ditësh. Ku e para të kishte një kontroll më të mirë për të gjithë ata që hyjnë në Shqipëri, dhe ata që hyjnë të qëndrojnë 2 javë të izoluar.

Unë nuk mendoj se është bërë një kontroll i mirë. E kam verifikuar vetë, kam marrë vetë të gjithë ata që kanë ardhur nga Muriqani dhe ndër 40 veta vetëm njëri më doli që e kishin marrë organet shtetërore për ta pyetur a kishte probleme shëndetësore. Por policia nuk kishte verifikuar nëse janë brenda apo kishin dalë nga shtëpia”, u shpreh ndër të tjera Ademi.