Basha thirrje qeverisë për zbatimin e paketës së parë: Mijëra familje të varfëra nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Duhet transparence…

Basha thirrje qeverisë për zbatimin e paketës së parë: Mijëra familje të varfra nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria. Duhet transparencë për të shmangur abuzimet.

Dua të vi tek një problem i madh i cili vazhdon të bëhet çdo ditë e më i madh, çdo orë e më i madh dhe ky është problemi i sigurimit të mjeteve të jetesës për të gjithë njerëzit në nevojë dhe sigurimi i mjeteve për të garantuar që ekonomia shqiptare të mos kalojë në një koma totale. Efekti social që kjo krizë ka shkaktuar është jashtëzakonisht i madh.

Pamjet që na shfaqen nëpër ekranet e mediave janë shqetësuese dhe të dhimbshme. Qytetarë në pamundësi të mëdha ekonomike të cilët çdo ditë humbin vendet e tyre të punës janë në pasiguri të shtuar dhe në një ngarkesë psikologjike dhe stres që sa vjen dhe rritet. Pesë javë pas krizës duhej që familjet në nevojë të kishin marrë jo një, por dy a më shumë paketa ushqimore.

Në fakt jemi në një situatë ku mijëra e mijëra familje në nevojë ekstreme që nuk kanë asnjë mundësi tjetër mbijetese nuk janë kontaktuar fare, nuk kanë marrë as paketa ushqimore as ndihmë financiare. Pranë opozitës dhe pranë medias përditë po rritet volumi i ankesave të qytetarëve që nuk marrin asnjë lloj përkrahje, asnjë lloj përgjigje kur e kërkojnë këtë.

Unë u bëj thirrje autoriteteve të garantojnë për të shpërndarë të paktën ndihmën e akorduar në paketën e parë. Kjo duhet bërë në mënyrë transparente, duke bërë të ditur listën e personave që e kanë përfituar ku çdo qytetar të marrë vesh, nëse janë apo jo përfitues dhe të mos përplasen në zyra të mbytur nga stresi, nga dëshpërimi dhe nga pamundësia.

Transparenca do të na japë mundësinë të shohim kush ka përfituar dhe të shmangim, po kështu, edhe abuzimet për të cilat ankesat nuk janë të pakta, disa prej tyre të faktuara tashmë nga media.