Basha: Qeveria po improvizon, çfarë shpall në drekë, e ndryshon në darkë…

Pyetje: Ka kritika se Kryeministri Edi Rama është duke menaxhuar situatën me koronavirusin në një mënyrë autoritariste. Madje pretendimet shkojnë më tej sa thonë se shefi i qeverisë po e përdor situatën për të shtuar fuqinë e tij. Lejet për qytetarët dhe fashat orare për daljet nga karantina së pari por edhe propozimet e ndryshimeve ligjore që maxhoranca miratoi me forcën e kartoni në Parlament duke se e çojnë edhe më tej këtë shqetësim. Si mendoni ju?

Lulzim Basha: Kjo është një tjetër simptomë e qeverisjes improvizuese, e qeverisjes së papërgatitur që diçka thotë në mëngjes dhe e ndryshon në drekë dhe pastaj atë që thotë në drekë e ndryshon në darkë, shpall një masë të premten dhe e ndryshon të shtunën. Në vend që të përdorë institucionet, ligjin, Kushtetutën për t’u shërbyer qytetarëve përdor Facebook-un, për të vjedhur orë të tërë përmes propagandës që në fund të fundit ku jemi?

Aty ky ishim. Pesë javë në karantinë ekonomike dhe distancim social të qytetarëve dhe kurba e infeksionit vazhdon të sillet njësoj si i pari i qeverisë, me të njëjtën mungesë stabiliteti shkon lartë, shkon poshtë, për arsyen e thjeshtë, sepse qeveria nuk ka asnjë plan, nuk ka asnjë strategji, nuk ka ndërmarrë asnjë hap domethënës as për të frenuar përhapjen e virusit për të cilën duhet patjetër testimi, duhet një strategji e re testimesh.

Duhet jo thjesht një rritje, por duhet një ndryshim kryekëput I qasjes së testimeve dhe as për të mbështetur shtresat në nevojë, për të mbështetur bizneset, të cilat sot në Shqipëri në letër marrin më pak sesa marrin në Kosovë, ndërsa në praktikë nuk kanë marrë pothuajse asgjë fare.

Dhe kësaj sjellje improvizuese, çfarë themi tani e ndryshojmë pas dy orësh, kësaj i shkojnë për shtat edhe këto lloj vendimesh të cilat pastaj më kot mundohen t’i veshin me ndryshime qesharake, dhe sa na takon ne antikushtetuese dhe totalisht të paligjshme si ato që adoptoi Parlamenti ilegjitim para një jave.