Basha: Qeveria ka humbur kohë. Paketa e parë gjysmake e ndihmës nuk ka shkuar akoma te njerëzit

Pjesë nga intervista e Kryetarit të PD, Lulzim Basha për Ora News

Është humbur më shumë se një muaj e gjysmë kohë që kur plasi epidemia në Kinë, që kur u dhanë sinjalet e para, që kur nisi epidemia në Itali, që kur u bënë kërkesat e para edhe nga opozita dhe tashmë po humbet 1 muaj kohë që kur ne kemi planifikuar, propozuar dhe kërkuar masat ekonomike.

Me 11 mars kemi propozuar paketën tonë të parë të masave ekonomike, iu deshën 2 javë qeverisë të adoptonte një gjysmë pakete, e cila është 1/3 e paketës së Kosovës. I kërkuam menjëherë të bënte një paketë të dytë, e përshëndetëm si hap të parë, thamë që është e pamjaftueshme dhe i kërkuam një paketë të dytë, ndërkohë Kosova e ka njoftuar sot paketën e dytë, ndonëse të parën e ka tre herë më të madhe se Shqipëria.

Paketa jonë e parë akoma nuk ka filluar të japë efektet. Sot është data 3 prill, po bëhen më shumë se tre javë që shumica e familjeve shqiptare janë të karantinuara dhe kjo është pa diskutim një masë e domosdoshme për të luftuar epideminë, por karantimi i tyre, distancimi social, izolimi dhe vetizolimi, mbyllja e bizneseve sjellin një problem shumë të madh për ekonominë, për ekonominë familjare, për të ardhurat e një popullsie të goditur rëndë nga kriza ekonomike edhe para se të vinte kjo epidemi. Ndaj ishte e domosdoshme që java e parë e prillit t’i gjente të gjitha familjet në nevojë me një sasi minimale parash në kontot e tyre bankare të injektuara nga buxheti i shtetit