Basha: Qeveria duket se po lufton më shumë njerëzit se virusin. Kërkesë publike Ramës…

“Masat sporadike të qeverisë, të paefektshme për ekonominë”, Basha: Qeveria duket se po lufton më shumë njerëzit se virusin. Kërkesë publike Ramës, të bëjë publik strategjinë e daljes, nëse e ka.

Testimet janë një vendimmarrje politike, strategjike dhe aspak teknike, që shtrojnë rrugën për t’u dhënë njerëzve qartësinë që meritojnë sesa do të zgjasë karantina, për t’u dhënë shqiptarëve, që kanë bërë sakrificën, çmimin e merituar të kësaj karantine – sigurinë e daljes hap pas hapi nga karantina pa një rrezik të shtuar të infeksionit. Pra, testimet mbeten problem kryesor.

Beteja, natyrisht, është me virusin. Beteja është me pasojat e virusit. Beteja nuk është me njerëzit. Virusi luftohet, njerëzit ndihmohen. Qeveria nuk po bën mjaftueshëm dhe shpesh po lë përshtypjen sikur po lufton njerëzit. Propozimet janë sporadike, janë të pastudiuara dhe efekti për të parandaluar rënien në ekonominë e gjithësecilit dhe në ekonominë kombëtare, eshtë, deri më tani, pothuajse i pandjeshëm.

Këto masa janë një seri masash dhe jo një plan as për daljen nga kriza dhe as për përballjen me sukses të plotë të pasojave të krizës. Akoma nuk e dimë, nëse qeveria ka një plan të tillë, nëse ka një strategji për daljen nga karantina, për sistemin shëndetësor, për testimet, për periudhën e tranzicionit derisa të gjendet vaksina. Nëse e ka, i përsëris thirrjen, për herë të dytë brenda 24 orëve, që ta bëjë atë publik.

Transparenca mbetet një problem i madh. Të gjithë përpiqemi të analizojmë mbi fakte gjysmake, sepse nuk thuhet e vërteta. Ka një frikë nga shifrat, ka një frikë nga e vërteta. Por ka, po kështu, një shprehje, “vetëm e vërteta do të na çlirojë”.

Vendi ka nevojë për një plan dhe për një strategji që do t’u mundësojë njerëzve të kapërcejnë këtë krizë ekonomikë dhe t’i kthehen sërish punës, aty ku munden, normalitetit apo shanseve dhe mundësive për normalitet.

Pa planin e duhur, njerëzit do të vazhdojnë të gjenden për një kohë të gjatë në këtë situatë dhe ekonomia jonë e brishtë do të vazhdojë të fundoset.

Ia kam kërkuar dhe ia përsëris këtë kërkesë kryeministrit publikisht, të nisë urgjentisht ndihmën financiare për njerëzit, të ndryshojë buxhetin dhe të rrisë fondin e emergjencës, sepse akoma nuk jemi as në nivelin e Kosovës. Koha nuk pret.